Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka takuar Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës.
Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës tha se nëse nuk plotësohen kërkesat për rritje pagash për punëtorë shëndetësor pas datës 20 të këtij muaji situata do të dal jashtë kontrolli, raporton Ekonomia Online.
“Kemi punuar në këtë drejtim, kemi qenë në vazhdimësi aty ku duhet me qenë. Ne e kemi ndjek një rrugë ligjore dhe shtetformuese. Për neve është një lojë, është një mashtrim premtimet që i kanë dhënë për rritjen e pagave. Unë kam pas takim edhe me Nait Hasanin i cili ka qenë skeptik me kalimin e ligjit. Ne këtë grevë e kemi bë me kohë sepse nuk duam me na thënë se ne janar ka kalu buxheti. Ne jemi lodhë. Ne sot kemi ardh me ju lut sepse nuk kemi çka të bëjmë. Përveç grevës 24 orëshe kam frikë që do të marrim veprime më sindikale. Nëse këto argumente nuk janë të mjaftueshme”, ka thënë Syla.
Ai tha se nuk kanë kërkuar paga më të larta për mjekë, por kategorizim.
“Nuk ka justifikim nëse kalohet ligji pa rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë. Ne nuk kemi lyp paga për mjek, por kategorizim. Neve nuk na ka mbet tjetër veç ti dorëzojmë mantelet këtu. Ligji është morali dhe fytyra jonë para punëtorëve tonë. Këtë takim merrne si lutje, pas datës 20 nuk do të mund ta kontrollojmë situatën”, tha Syla.
Kryetarja e komisionit, Besa Baftiu tha se qeveria do të duhej ti mbante premtimet e dhëna derisa kërkoi nga punëtorët shëndetësorë të mos marrin masa më radikale në mënyrë që të mos dëmtohen qytetarët.
“Koalicioni është ai qe ka dhënë premtime. Ne si komision e kemi bërë punën tonë, kemi qenë në bashkëpunim me ju dhe odat e gjithë dhe i kemi dërguar nga amendamentet. Ne e kemi marr një zotim të lobojmë që të kaloj ky projektligj. Për mua është shqetësuese kur thoni se masat do të jenë radikale sepse nuk duhet të harrojmë për çka jemi në shërbim. Në këtë mes janë qytetarët qe preken më se shumti. Do të duhej të gjendej një zgjidhje”, tha ajo.
Deputeti Haxhi Avdyli tha se temat e mëdha politike po e bëjnë qeverinë të harroj të merret me çështjet që prekin direkt jetën e qytetarëve.
“Ju keni qenë aq i ashpër sa kërkohet dhe aq i but sa e lejon etika. Mendoj që fillimi ka qenë i mbarë mirëpo tash ka rënë sharra në gozhdë, mirëpo temat e mëdha ka bërë që temat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve po lihen anash. Ligji për kategorizimin e pagave nuk po planifikohet as në këtë muaj të vijë në parlament , planifikimet janë që të vijnë në janar dhe hyrja në fuqi vjen me vone”, tha Avdyli.
Deputeti Naser Rugova tha se qeveria do te duhej të ulej e të mendoj seriozisht për mirëqenien e qytetarëve.
“Shteti i Kosovës fatkeqësisht nuk ka vu dorë mbi sistemin e shëndetësisë. Unë jam kundër grevës sepse keni rezistuar për vite të tëra. Greva e mantelbardhëve është më shumë se grevë sepse jemi në kohë dimri dhe tash ka më shumë aksidente. Ju lus që të bisedoni edhe njëherë me kryeministrin, ministrin e shëndetësisë. Qeveria duhet të ulet dhe të mendoj seriozisht për mirëqenien e qytetareve të vet. Kërkoj vetëpërmbajtje dhe ju lus të mos hyni në grevat që i keni paraparë”, tha ai.
Deputetja Drita Millaku tha se barra kryesore mbetet te qeveria.
“Ne e ndajmë shqetësimin me ju. Kërkesat e juaja janë legjitime mirëpo barra kryesore mbetet tek qeveria sepse ajo nuk ka sjell në buxhet projektligjin qe është kategorizimi i pagave. Greva jo që është e dëmshme, por i prek pacientet. E kemi në njërën anë një qeveri të papërgjegjshme dhe qytetarë që s’kanë ku të drejtohen”, tha ajo.
E kryetari i sindikatës, Blerim Syla tha se kërkesat e tyre janë të dinjitetshme dhe minimale.
“Dinjiteti i punëtorëve shëndetësorë ka rënë për toke”, tha ai.
Xhemajl Selmanaj, kryesindikalist i QKUK-së, tha se zvarritja për kategorizimin e pagave ka qenë shumë e gjatë.
“E kuptoj shqetësimin tuaj sepse shqetësimi juaj është shqetësim që na prek direkt dhe është moment i fundit që të reflektoj qeverisja qendrore. Më mirë është që ju për një ore të bëni tollovi në kuvend se sa ne në qytet. Frustrimi është i arsyeshëm sepse zvarritja ka qenë shumë e gjatë. Është e pashmangshme greva dhe protesta ndoshta edhe tronditja e shtetit sepse pritjet kanë qenë të mëdha e ishalla nuk vjen ndonjë vdekje ose nga dhuna ose na mosdhënia e ndihmës shëndetësore”, tha ai.