Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor njofton se rrënimi i shtëpive në fshatin Hade është bërë për shkak se janë ndërtuar pa leje dhe prekin Zonën me Interes të Veçantë Ekonomik “Fusha e Mihjes së Re” në Komunën e Obiliqit.
Andaj siç theksohet në njoftim, MMPH-ja së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MMPH), KEK-un, komunën e Obiliqit janë detyruar të marrin masa për rrënimin e shtëpive.
Në njoftimin e MMPH-së, theksohet se të gjithë shkelësit e ligjit, qoftë në të kaluarën, të sotmen apo edhe të ardhmen do të përballen me sanksionet ligjore.
“Plani Hapësinor për Zonën me Interes të veçantë ekonomik ‘Fusha e Mihjes së Re’ në Komunën e Obiliqit dhe Ligji për Ndërtimin 04-L/110 kanë përcaktuar kompetencat dhe përgjegjësitë lidhur me ndërtimet në këtë zonë, për të gjitha institucionet relevante si komuna e Obiliqit, MZhE-ja, KEK-u dhe MMPH-ja”, thuhet në njoftim.
“Kjo nënkupton se ky vendim i Qeverisë për këtë zonë vlen edhe për banorët e kësaj komune. Në pamundësi që Komuna të kryej obligimet e veta, në takimin e përbashkët mes të MMPH-së, MZhE-së, KEK-ut dhe komunës së Obiliqit është arritur dakordimi që të veprohet bashkërisht në parandalimin e të gjitha ndërtimeve të reja në Zonën me Interes të Veçantë Ekonomik ‘Fusha e Mihjes së Re’, kur kjo paraqitet si nevojë nga ana e autoriteteve lokale dhe KEK-ut”.
“Në këtë drejtim edhe është ndërmarrë hapi i përbashkët mes komunës, MMPH-së dhe Policisë së Kosovës, në ndalimin e ndërtimeve të reja, të cilat pas inspektimit kanë rezultuar si ilegale dhe të pa pajisura me leje”, thuhet në njoftim.
“Kjo nuk nënkupton se qytetarët janë të privuar nga ushtrimi i të drejtave të tyre si për shpronësimet, ndërtimet që kanë nevojë, por për të gjitha duhet ndjekur rruga institucionale dhe ligjore. Të gjithë shkelësit e ligjit, qoftë në të kaluarën, të sotmen apo edhe të ardhmen do të përballen me sanksionet ligjore”.
Kujtojmë se banorët e Hades dhe Forumi për Iniciativa Qytetare sot organizojnë protestën para Ministrisë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor.