Mogherini-Hahn-Avramopoulos: Demarkacioni ishte kusht kyç

Bruksel | 21 Mar 2018 | 21:27 | Nga

Pas ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ka reaguar edhe Brukseli. Përmes faqes së tyre zyrtare, ata kanë bërë të ditur se ratifikimi i demarkacionit ishte kushti kyç për liberalizimin e vizave.

Në një deklaratë të përbashkët të Shefes së Lartë për Politikë të Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini, Komisionarit për Punë të Jashtme, Johannes Hahn, dhe komisionari për Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, kanë thënë se ratifikimi i demarkacionit ishte kusht kyç për liberalizimin e vizave.

Kjo është deklarata e tyre e përbashkët:

“Ratifikimi i sotëm i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, nga Kuvendi i Kosovës, paraqet një arritje të vërtetë, një progres të mirëpritur dhe konkret, në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe Strategjinë e re të Komisionit për Ballkanin Perëndimor. Ratifikimi është gjithashtu përmbushja e njërit prej kritereve kryesore për liberalizimin e vizave të Kosovës. Siç tha kryetari Juncker gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, është një hap vendimtar drejt liberalizimit të vizave, nga i cili do përfitojnë para së gjithash qytetarët.

Në vitin 2016, Komisioni Evropian i propozoi Këshillit dhe Parlamentit Europian heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës me të kuptuarit se Kosova do të ratifikojë Marrëveshjen e Ndarjes së Kufirit me Malin e Zi dhe do të forcojë të dhënat e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vlerësimi i procesverbalit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vazhdon edhe në dritën e informacionit të fundit të dhënë nga autoritetet e Kosovës.

Bashkimi Evropian pret që të gjitha palët në Kosovë të vazhdojnë punën e madhe dhe përpjekjet e suksesshme për të arritur udhëtimin pa viza për popullin e Kosovës dhe në interes të rajonit “, thuhet në deklaratën e tyre.

Të ngjashme