Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj i është kundërpërgjigjur zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala i cili tha sot në një konferencë për media se pretendimet e Molliqajt janë absurde derisa ka shtuar se me deklarimet e Molliqajt po merret edhe zyra ligjore e KEDS-it.
Molliqaj tha se Buzhala vetëm sa e shton dyshimin lidhur me deklarimet e tij se KEDS ka ndikuar në rënien e blloqeve A3 dhe A5.
”Reagimi i z. Buzhala, vetëm sa shton dyshimin. Në vend se menaxhmenti i ri KEK-ut dhe KEDS-it të jenë transparente, t’i lënë vend hetimit, si dhe organet hetuese të drejtësisë të nisin punën një orë e më parë, kanë zgjedhur sulmin”, ka shkruar Molliqaj në një postim në “Facebook”.
Ai tha se kjo qasje e KEDS-it vetëm sa u jep të drejtë, teksa paralajmëroi rritje të aksioneve dhe organizimeve të PSD-së.
“Kjo qasje vetëm sa na jep të drejtë. Aksionet dhe organizimi do të rriten. Padrejtësia nuk mund të normalizohet. Terri ndonjëherë ndriçon të vertetën”, ka shkruar më tutje ai.