Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka kërkuar ndaljen e menjëhershme të reduktimeve të energjisë elektrike.
Molliqaj përmes një postimi në “Facebook”, tha se KEDS-i është duke gënjyer dhe se reduktimet nuk janë vetëm nga dy orë.
“Reduktimet e energjisë elektrike janë të padurueshme dhe të papranueshme. KEDS po gënjen! Nuk janë 2 orë në ditë reduktimet. Ka lagje në Prishtinë e fshatra gjithandej Kosovës ku rryma është ndalur për 6 orë rresht. Operatori privat e ka detyrim kontraktual furnizimin me energji elektrike”, ka shkruar ai.
Më tutje, ai tha se aksionet dhe organizimet do të rriten dhe do të vazhdojnë edhe më tutje.
Postimi i plotë:
Reduktimet duhet ndaluar menjëherë!
Reduktimet e energjisë elektrike janë të padurueshme dhe të papranueshme. KEDS po gënjen! Nuk janë 2 orë në ditë reduktimet. Ka lagje në Prishtinë e fshatra gjithandej Kosovës ku rryma është ndalur për 6 orë rresht. Operatori privat e ka detyrim kontraktual furnizimin me energji elektrike. Nese kjo nuk ndodh, është Qeveria që duhet të ndërhyjë. Qeveria “Krejt dhe Drejt!” është bërë Qeveri “shumë vota për asgjë”. Qeveria nuk po guxon t’iu dalë përballë privatizuesve. Ka ndarë para të gatshme për ta, por prapë nuk kemi rrymë.
Aksioni dhe organizimet do të rritën, do të vazhdojnë. Të gjithë që kanë preokupim këtë padrejtësi i ftojmë në mosdëgjueshmëri qytetare. Ajo që sot na bashkon, pa dallim, është terri ku na ka futur kjo Qeveri.