Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa më datë 8 nëntor ka pritur në takim Muharrem Bekën nga Sindikata e Zjarrfikësve, me ç’rast për së afërmi është njoftuar për kërkesat e zjarrfikësve, shqetësimet dhe në tërësi për gjendjen e tyre në nivel vendi, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Pas këtij takimi Mustafa, përveç që ka dhënë kontributin e tij në bashkëpunim me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj për votimin e koncept dokumentit për financat e Pushtetit Lokal në mbledhjen e Qeverisë, të datës 13 nëntor, gjithashtu ai ka ndërmarrë hapa konkret dhe për dy kërkesat tjera të sindikatës së zjarrfikësve, njëra për rritjen e pagës së rrezikshmërisë në punë dhe tjetra për pagesën e orëve shtesë dhe orët e gjatë punës në ndërrimin e natës”, thuhet në komunikatë.
Më tutje thuhet se, “me këtë rast Mustafa pas konsultimeve intensive me zyrtarët përkatës, shprehë gatishmërinë e plotë që në buxhetin e propozuar për vitin 2019-të, kategorisë së zjarrfikësve, t’iu paguhen orët shtesë jashtë orarit zyrtar të punës dhe të shikohet çdo mundësi ligjore që të rritet pagesa për rrezikshmërinë”.
Sindikata e Zjarrëfikësve ka paralajmëruar se nesër do të mbajë protestë duke filluar në ora 10:30 për diskriminimin që po iu bëhet.