MPB i premton mbështetje Gjilanit nga niveli qendror

Prishtinë | 01 Gus 2018 | 18:00 | Nga

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj, ka qëndruar për një vizitë në Komunën e Gjilanit, ku është pritur nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.

Në këtë takim u vlerësua se komuna e Gjilanit është në një nivel të kënaqshëm sa i përket fushës së sigurisë.

Ministri theksoi se shumë shpejt pritet të dalë me një vendim për zgjidhjen e problemit me pajisje me dokumente për qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe u shpreh i gatshëm të mbështesë Komunën e Gjilanit nga niveli qendror.

“Me Kryetarin Haziri diskutuam për problemet që lidhen në fushën e sigurisë në komunikacion dhe sigurisë në bashkësi. Gjilani është komunë model që për disa fusha ka dhënë sukses të jashtëzakonshëm, siç bie fjala për Mekanizmin Referues në aspektin e deradikalizmit. Të gjitha sfidat dhe problemet që i ka Komuna në aspektin e sigurisë, ne do të mundohemi t’i japim zgjidhje”, tha ministri Gashi.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri theksoi se gjendja në këtë komunë është stabile, nuk ka probleme të natyrës etnike dhe për këtë gjendje të mirë një kontribut të madh ka dhënë policia rajonale në Gjilan.

“Diskutuam edhe për çështjen e zjarrfikësve që ne ofrojmë si Komunë, sikurse që e njoftova ministrin për Mekanizmit Referues dhe KKSB, si dy mekanizma ndërsektorialë jashtëzakonisht të suksesshëm që i kemi”, ka Haziri.

Gjithashtu Gashi vuri në dukje se projekti për vendosjen e kamerave në komunën e Gjilanin, i cili po bëhet në bashkëpunim me ICITAP-in amerikan, është një projekt jashtëzakonisht i mirë, i cili do të jetë i dobishëm për qytetarët e kësaj komune në rritjen e sigurisë.

Pas këtij takimi, ministri Gashi së bashku me Qalajn, kanë vizituar Pikë-Kalimin Kufitar Dheu i Bardhë për të parë nga afër sfidat që përballen zyrtarët policorë në përmbushjen e detyrave të tyre.

Ministri vlerësoi mobilizimin e Policisë së Kosovës, në këtë kohë kur ka shtim të fluksit të udhëtarëve që kalojnë në këtë pikë-kalim kufitar gjatë sezonit veror. Gashi po ashtu potencoi edhe një herë së kolonat në këtë pikë kalimi vijnë si rezultat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa pala kosovare po punon me kapacitete të shtuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme