MPJD thotë se deklaratat e Macron duket se janë keqinterpretuar: S’kemi pranuar asnjë vendim tjetër për vizat

Prishtinë | 17 Tet 2023 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Jashtme ka reaguar pas deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron, në Tiranë rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, e cila duket se u përkthye gabimisht nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë se “Franca ka pezulluar” vizat për Kosovën.

Ministria thotë se institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave.

Madje, Ministria e udhëhequr nga Donika Gërvalla thotë se “duket madje edhe të jetë interpretuar gabimisht”.

Më pas Ministria ka treguar mbi procedurat se si do të mund të kthehej vendimi për liberalizim të vizave.

“Vendimet për miratim, pezullim apo shtyrje të liberalizimit të vizave merren në nivel të Bashkimit Evropian, e jo të shteteve anëtare. Procedurat e tilla i kanë afatet e caktuara kohore dhe vendimet merren me shumicën e paraparë të votave. Nuk kemi asnjë informacion që një procedurë e tillë të jetë kërkuar apo nisur lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Të ngjashme