Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se shqyrtimi i kërkesave urgjente për trajtim jashtë shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë është vonuar deri në një muaj, derisa për raste jourgjente deri në 4 muaj. Gjatë vitit 2015 për këtë çështje janë shpenzuar 7.8 milionë euro, shkruan sot, gazeta Zeri.
Gjatë vitit 2015 Ministria e Shëndetësisë (MSH) shpenzoi 7.8 milionë euro për trajtime jashtë shtetit, por në disa raste shqyrtimi i aplikacioneve për trajtime urgjente është vonuar deri në një muaj, derisa për trajtime jourgjente deri në 4 muaj apo edhe më shumë.
Neglizhenca e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) ka mundur t’u kushtojë me jetë shumë qytetarëve që kanë aplikuar për trajtime urgjente shëndetësore jashtë shtetit.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se në disa raste shqyrtimi i aplikacioneve për trajtime urgjente jashtë shtetit është vonuar deri në një muaj.
“Një aspekt tjetër i rëndësishëm i trajtuar në këtë auditim është edhe vonesa në shqyrtimin e aplikacioneve nga Bordi. Duke e analizuar bazën e të dhënave për vitin 2015 kemi vënë re se ka vonesa në shqyrtimin e aplikacioneve qoftë për rastet urgjente apo për rastet jourgjente. Arsyetimet prapa kësaj janë se vonesat në përgjithësi janë shfaqur si rrjedhojë e aplikacioneve të trashëguara nga Bordi paraprak”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”.
Aty më tutje thuhet se gjatë vitit 2015 në Ministrinë e Shëndetësisë janë dorëzuar 1859 aplikacione për trajtim jashtë shtetit, ku nga ky numër 1212 janë aprovuar, 20 janë refuzuar, 109 janë kthyer për kompletim, për 6 raste është dhënë rekomandim se mund të trajtohen në Qendrën Klinike Universitare, ndërsa 512 raste në fund të vitit kanë mbetur si të pashqyrtuara.