MSh-ja thotë se së shpejti nga Covax pritet të arrijnë rreth 33 mijë doza të vaksinës anti-Covid

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Edhe pse Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk është furnizuar me asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19, nga Ministria e Shëndetësisë japin shpresa se së shpejti Kosova do të jetë në mesin e shteteve që do t’i marrin dozat e para.

Në një përgjigje dërguar Telegrafit, zyrtarë të MSH-së thonë se nga mekanizimi ndërkombëtar COVAX, Kosova do të përfitojë 100,80 doza, prej të cilave dozat e para apo rreth 33,000 pritet të arrijnë së shpejti.

“Më 2 mars, mekanizimi ndërkombëtar COVAX ka konfirmuar listën e shteteve përfituese nga raundi i parë i ndarjes së vaksinave kundër COVID-19 për periudhën shkurt-maj 2021. Në këtë raund, Kosova është bërë e ditur se përfiton 100,800 doza, prej të cilave dozat e para apo rreth 33 000 pritet të arrijnë si kontingjent i parë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas tyre, COVAX ka filluar shpërndarjen, së pari në shtetet me situatë epidemiologjike më të ngarkuar sa i përket COVID-19, dhe Kosova do të jetë shpejt në mesin e shteteve që i marrin dozat e para.

“Përgatitjet janë bërë, plani i vaksinimit është hartuar dhe bërë publik, janë plotësuar të gjitha kushtet, ka mbetur vetëm distribuimi i dozave të para dhe fillimi i këtij procesi. MSh-ja është e vetëdijshme që edhe shtetet në rajon kanë filluar vaksinimin, por disa prej tyre me vaksina të prodhuesit rus, të cilat nuk kanë marrë ende miratim për përdorim nga organizatat që kanë dhënë miratimin për përdorim të vaksinave të tjera, prandaj ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët deri në fillimin e vaksinimit me vaksina të aprovuara për përdorim nga institucionet rregullatorë si EMA, FDA”, kanë thënë zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme