Muhamet Mustafa sqaron “shkarkimin” nga kryeministri Hoti

Prishtinë | 14 Kor 2020 | 19:11 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së sotme, disa mediume publikuan vendimin e kryeministrit Avdullah Hoti për shkarkimin e profesorit të ekonomisë, Muhamet Mustafa, nga posti i Këshilltarit Politik për Ekonomi në kabinetin e Kryeministrit.

Ndërkaq, vetë Mustafa, përmes një sqarimi të postuar në Facebook, ka treguar se si ka ndodhur ky “ngarkim” dhe për rrjedhojë, edhe “shkarkimi” nga kjo pozitë.

Profesori Mustafa thotë se Hoti kishte kërkuar nga ai që të angazhohet si Këshilltar në kabinetin e tij, mirëpo thotë ta ketë refuzuar kërkesën e tij pasi që është pjesë e Institutit Riinvest, dhe me këtë rast ka thënë se mund të ketë konflikt interesi.

“Kryeministri Hoti pati një bisedë me mua, e ku ishte i pranishëm edhe Drejtori Ekzekutiv i Riinvestit, para dhjetë ditësh (4 korrik 2020). Biseda kishte të bënte kryesisht me momentin aktual ekonomik dhe situatën me COVID-19. Gjatë këtij takimi Kryeministri hapi mundësinë që të angazhohem si Këshilltar në kabinetin e tij për Ekonomi dhe për çështjen negociatave me Serbinë në fushën e ekonomisë. Unë e falënderova për konsideratën e tij dhe i thash se sipas vendimit tim personal që nga qershori i vitit 2017 jam tërhequr nga angazhimi politik në institucione dhe se jam përcaktuar për punë në Institutin Riinvest si Këshilltar Senior. Për këtë arsye, i thash Kryeministrit se nuk mund të pranoj detyra të të emëruarit politik duke marr parasysh karakterin dhe rolin e Institutit Riinvest, për të mos krijuar një konflikt interesi”, thotë profesori Muhamet Mustafa.

Më tej, ai thotë se Hoti e ka mirëkuptuar qëndrimin e tij dhe janë marrë vesh që potencialisht ta ketë një rol në ekipin e ekspertëve për negociatat që do të zhvillohen me Serbinë.

Mirëpo, Mustafa shton se pas tri-katër ditësh ka pranuar një “Vendim” për emërimin e tij në postin e Këshilltarit Politik për Ekonomi, por thotë se menjëherë ka kontaktuar me kryeministrin Hoti për t’i thënë se “Vendimi nuk është sipas marrëveshjes duke kërkuar që kjo të korrigjohet”.

“Sot mora vesh nga dy portale e jam ‘shkarkuar’. Në fakt, në Vendimin e ri që mu dërgua nga njeri nga portalet shkruan se jam liruar nga kjo detyrë. Por edhe ky vendim nuk është i sakte plotësisht sepse do të duhej të thoshte ‘lirohet me kërkesën e tij’”, ka thënë Mustafa, teksa ka akuzuar gazetarët për “gazetari të papërgjegjshme”.

Në fund, ai thotë se do të mbetet në dispozicion të Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe të të gjitha institucioneve të Kosovës, “si gjithherë më parë, që të jap tërë kontributin dhe eksperiencën time profesionale e politike sidomos në çështjet e raporteve me Serbinë, gjithnjë në cilësinë e ekspertit, pa një pozicion të të emëruarit politik”.

“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar lidhur me këtë çështje, përpos disa lëshimeve administrative e gazetareske që mund të ndodhin e edhe mund të evitohen me pak kujdes”, përfundoi profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa.

Të ngjashme