Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar se Glauk Konjufca duhet të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Kuvendit, pasi nuk është votuar Papa i Vatikanit, por një kryeparlamentar.
Muhaxheri ka thënë se nëse reflektojnë dy figurat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, për të pranuar ofertën e LDK’së, qysh nesër do të ketë qeveri të re të vendit.
Ai ka thënë se nëse VV’ja pranon që LDK’ja të ketë kryeparlamentarin në vitin e parë deri kur të zgjidhet presidenti, qeveria është shumë lehtë të formohet.
“Ne jemi pro koalicionit, pro respektit të votës. Ajo që është bë shumë e qartë është që LDK-ja s’ka opsion B. Ka opsion për t’i dhënë vendit qeveri, qeveri të dinjitetshme ku respektohet vota e qytetarëve, vota për LDK-në, për përfaqësim të denjë në qeveri. Mandatarit i takon të reflektojë që këtij vendi t’i jepet shpresë për qeverisje të re e të mirë, e për të zbatuar proceset që e presin” , ka thënë Muhaxheri në emisionin “Rubikon” të KTV-së
“Ne kemi bërë të qartë që qojmë parime në Këshill të Përgjithshëm jo letra apo pamflete politike. Kemi kërkuar të vëmë parime. Parimi ka qenë që LDK-ja të ketë një nga tri postet reprezentative, kryetarin e Kuvendit ose presidentin. I kemi bë ofertë gjeneroze që një vit kryeparlamentari t’i takojë LDK-së e kur të zgjidhet presidenti, mandatari t’i kthehet VV-së”.
“Për me arrit një marrëveshje, mandatari është i obliguar edhe me vota edhe me mandatin që ka marrë për të krijuar qeverisje. E ka alternativën. S’po themi që të shkarkohet Konjufca, mund të japë dorëheqje e të marrë poste të tjera. S’kemi votuar Papën, por një kryeparlamentar që mund të ndërrohet. Praktika ka dëshmuar se mund të ndërrohet”, ka theksuar Muhaxheri.