Muja: 26 produkte të Vites është konstatuar që përmbajnë vaj palme

Prishtinë | 10 Gus 2026 | 13:04 | Nga Erza Hetemi

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka thënë se gjatë inspektimit në depot e subjektit “Abrazen Vita” janë gjetur tonelata qumësht pluhur dhe vaj palme, ndërsa sipas tij, në raportin fillestar janë konstatuar edhe 26 produkte me vaj palme, raporton Ekonomia Online.

Muja, në një konferencë për media, tha se këto produkte janë lokalizuar edhe në depot e subjektit dhe jo vetëm në doganë.

“Është konstatuar gjatë inspektimit në depon e subjektit “Abrazen Vita”, tonelata të qumështit pluhur, tonelata të qumështit të vajit të palmës, pra nuk ishte më vetëm nga dogana, u lokalizua edhe në depot e tyre. Aty inspektori konstaton 26 produkte me vaj palme që janë konstatuar nga raporti fillestar i asaj dite nga qumështorja Vita”, tha ai.

Lidhur me qumështin “Vita”, Muja ka thënë se Ministria nuk trajton çështjen në bazë të markës tregtare, por fokusohet te origjina e problemit dhe te subjekti që e prodhon atë.

“Në lidhje me qumështin ‘Vita’, se vërtet Ministria, se sot kush çfarë bartje tregtare po flitet, po duhet ta kuptoni që ne nuk i trajtojmë çështjet se cila markë tregtare. Ne e trajtojmë origjinën e problemit, kush është ai që po e prodhon, se markën tregtare e licencon Ministria e Tregtisë. Ne i marrim vetëm subjektin, njerëzit, pajisjet që ne i kemi aprovuar për qumësht, apo vazhdojnë me u mirëmbajtë aty, dhe kjo është konstatuar që jo, dhe dikush e ka shkelur”, tha ai.

Muja ka ngritur dyshime edhe për mënyrën se si, sipas tij, mund të prodhohet i njëjti produkt në rrethana të ndryshme brenda të njëjtit subjekt.

“Tash, nëse më thua ti mua që katër herë paradite unë po prodhoj qumësht me vaj palme e disi po e gjej një mënyrë që pasdite një. Unë jam i interesuar me kuptu atë shkencë, si ia bëjnë ata njerëz me prodhu, a ka pasur kontaminim”, tha ai.

Ai ka thënë se është gjetur edhe një mostër pa probleme, por ka sqaruar se kjo nuk vlen për qumështin pluhur.

“Po është gjetur një mostër që nuk ka problem, por jo për qumështin pluhur. Por, ashtu i kam kërkuar AUV-it, siç thotë ligji, në rast se gjendet që brenda subjektit të njëjtë, edhe subjektit të aprovuar, produktet janë të përziera, atëherë trajtimi dhe mbikëqyrja e shtuar duhet të shkojë edhe për ato produkte të cilat nuk janë konstatuar me një mostër”, tha ai.

Të ngjashme