Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka deklaruar se ministria ka angazhuar të gjitha kapacitetet financiare, njerëzore dhe teknologjike për t’u dalë në ndihmë fermerëve të prekur nga dëmet e shkaktuara nga breshëri, derisa ka bërë të ditur se brenda 72 orëve pritet raporti i shtabit emergjent mbi situatën në terren.
Muja në një intervistë për Ekonomia Online tha se, krahas përqendrimit te dëmet, ministria po punon edhe për masat që duhet të ndërmerren pas tyre, për të mundësuar vazhdimin e prodhimit bujqësor.
“Ta keni parasysh që po ashtu jemi në kërkim të masave dhe qasjeve të reja për t’u adaptuar me ndryshimet klimatike. Rrjetat mbrojtëse, për shembull, ne vetë i kemi futur në kuadër të programeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe kërkojmë që të aplikohen, pasi është parë në çdo rast që kjo funksionon nga dëmtimet dhe ka ruajtur prodhimet bujqësore, hortikulturën intensive dhe serrat. Megjithëse serrat mund të jenë dëmtuar, prodhimet bujqësore kanë qenë të mbrojtura. Kjo ka shumë rëndësi dhe i kemi integruar në kuadër të programeve tona”, tha Muja.
Ai tha se është themeluar shtabi emergjent dhe janë në terren duke i ndihmuar bujqit.
“Ajo çfarë unë dua të vendos theksin, e kam parasysh tek dëmtimet që është përqendrimi, por ne jemi Ministria e Bujqësisë dhe na duhet të mendojmë edhe për atë se çfarë vjen pas dëmtimeve. Për këtë e kam themeluar një grup punues, shtabi emergjent, i cili përfshin të gjitha funksionet e Ministrisë së Bujqësisë, dhe sa jam informuar, sot janë në terren duke i ndihmuar bujqit. Sepse duhen masa agronomike pas breshërit e kam fjalën te krasitjet dhe, po qe nevoja, edhe shartimet në mënyrë që prodhimi bujqësor të vazhdojë. Një institut i bujqësisë është tashmë në terren”, tha ai.
Muja tha se pas vizitës në terren është konstatuar se dëmet janë të konsiderueshme, ndërsa epiqendra e breshërit, sipas vlerësimeve fillestare, ka qenë në fshatin Kovragë të Istogut.
“Ajo çfarë ne kemi mundur me parë dhe dokumentuar dje, dhe po presim brenda 72 orëve një raport që e kam kërkuar nga shtabi emergjent i Ministrisë së Bujqësisë, si duket epiqendra ka qenë në fshatin Kovragë. Pastaj këtu janë dëmtuar fshatrat si Istogu i Poshtëm, Veriqi, Dobrusha, dhe ka pasur dëme deri në Mojstir dhe Muzhevinë. Domethënë, pothuajse të gjitha fshatrat prodhuese të Komunës së Istogut. Fshatrat që futen në korridorin midis Istogut dhe Pejës, pjesa veri-perëndimore e Klinës, si dhe një pjesë e Skenderajt. Ajo çfarë kemi dokumentuar është që kjo ka ndodhur. Dëmet janë të konsiderueshme, me sa mundëm të vërejmë. Kulturat bujqësore si misri, për shembull gruri ka shpëtuar, sepse në shumicën e rasteve ka përfunduar korrje-shirja. Mirëpo në disa raste të izoluara ka pasur edhe grurë që është dëmtuar. Kryesisht misri ka pësuar, dhe për mua kjo ka një rëndësi, për shkak se misri përdoret për silazh dhe për ushqim për kafshë, e kjo krijon vështirësi edhe tek prodhimi i qumështit pastaj. E dyta çfarë mundëm të vërejmë janë mollët. Istogu përfshin gjysmën e prodhimit të mollëve të Kosovës. Kjo ka një rëndësi shumë të veçantë për prodhimin bujqësor dhe sigurisht është në konsideratën e Ministrisë së Bujqësisë. Pastaj mundëm të vërejmë dëme te shalqiri, pjepri. Këto ishin kulturat kryesore çfarë mundem me vërejtë. Por, në anën tjetër, pak dëme ka pasur edhe tek perimet: specat, domatja dhe trangujt, po ashtu e kanë pësuar atë dëmtim”, tha Muja.
Ministri në detyrë tha se Ministria e Bujqësisë do ta trajtojë Komunën e Istogut me prioritet dhe se do të bashkëpunojë me komunën dhe fermerët për tejkalimin e situatës.
“E bashkëndiejmë shumë këtë dhimbje, sepse edhe Ministria e Bujqësisë, ta keni parasysh, është bashkëinvestuese në të gjitha ato stabilimente bujqësore. Bujqit dhe ne kemi qenë partnerë me vite për t’i zhvilluar ato, ndaj është humbje e madhe edhe për ne, edhe për ata. Por unë u thashë që jemi dakorduar me Komunën e Istogut dhe me kryetarin, si ta menaxhojmë këtë situatë me të gjitha kapacitetet tona. Edhe po besoj që Kosova, po edhe Istogu, e ka përjetuar këtë situatë edhe më parë mirëpo, ne jemi të bindur që bashkërisht mund ta tejkalojmë këtë situatë. Jam shumë i bindur që do ta tejkalojmë, sepse nuk kemi rrugë tjetër. I gjithë kapaciteti financiar, njerëzor dhe teknologjik i Ministrisë së Bujqësisë është në funksion të fermerëve tanë. Në këtë rast, Komuna e Istogut, sigurisht për shkak të vështirësive që ka pasur, do të jetë në prioritetet themelore të Ministrisë së Bujqësisë. Ne do të gjejmë rrugën për t’u kthyer bashkërisht dhe për t’u rimëkëmbur, në një formë ose në një tjetër, së bashku me fermerët tanë dhe me Komunën e Istogut”, tha ai.
