Muja tregon se a i kërkoi garanci selektorit Giresse

Prishtinë | 09 Qer 2023 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i krahut Arbnor Muja ka mohuar se nga selektori i Kosovës, Alain Giresse ka kërkuar t’i garantohet vendi i titullarit.

Muja nuk është në listën e Kosovës për ndeshjet e qershorit. Ai ka treguar se ka pasur një bisedë me selektorin dhe ka shprehur pakënaqësinë që nuk është aktivizuar në dy ndeshjet e muajit mars.

“Deklarata e selektorit Giresse që unë i kam kërkuar vendin e titullarit në ndeshjet e qershorit është e pavërtetë. Me selektorin Giresse dhe ndihmësin e tij kam biseduar gjatë pjesëmarrjes time në ndeshjet e marsit. Kërkesa ime ka qenë se ku qëndroj në planet e selektorit Giresse për ndeshjet e ardhshme dhe pse nuk jam paraqitur kundër Izraelit dhe Andorrës. I kam treguar që mendoj që ka qenë e padrejtë mosprezenca ime në ndeshjet e marsit”, ka shkruar Muja në “facebook”.

“Secili trajner dhe staf i tyre që ka punuar me mua, e dinë që unë një gjë të tillë nuk e kërkoj kurrë. Emrin tim selektori mund ta thërret, mund ta lë në bankën rezervë, mund ta lë edhe në tribuna, por kurrë ta njollosë”, shkruan në postimin e Mujës.

Të ngjashme