“Kam vlerësuar që pas tre mandatesh është koha që t’ua lë radhën njerëzve të rinj që mund të kenë një vizion tjetër për zhvillimin e qytetit; populli do dhe vendos për ndryshim. Më vjen keq ta them, por kur e kam marrë unë drejtimin Vushtrria ka qenë qytet mesjetar. Kemi bërë përpjekje që t’i kthejmë edhe eshtrat e Shotë Galicës; edhe në këtë tentativë kemi hasur në pengesa nga qeveria”, Bajram Mulaku, kryetar i Vushtrrisë në tre mandate, flet për Klan Kosova.
Ishte atëbotë sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, që e bindi profesorin dhe ish-veprimtarin e rivalit politik, Lidhjes Demokratike e Kosovës, Bajram Mulakun, që të bëhej kandidat i subjektit ‘të krahut të luftës’ për kryetar të Vushtrrisë – dhjetë vjet më parë.
Ka qenë i burgosur politik në kohën e regjimit jugosllav bashkë me vëllanë tim, rrëfen Mulaku për Klan Kosova. ‘Pas negociatave të gjata Jakup Krasniqi më ka bindur që ta pranoj propozimin’.
Që nga 2007-ta Bajram Mulaku ka qeverisur me Vushtrrinë, pa bërë fort bujë në media, në asnjërin dimension të masës së gjërave. Pas mandatit të dytë qeverisës flitej se ai nuk do të kandidonte më. Për arsye të ndryshme, shpesh të paqarta, por që lidheshin kryesisht me ftohjen e raporteve me PDK-në. Këto ai i mohoi me rikandidim dhe rizgjedhje.
Por në mandatin e tretë si kryetar komune ai do të përballej me rënien e përkrahjes për PDK-në. Kështu pas finalizmit të rezultateve të zgjdhjeve qendrore Mulaku njofton se nuk do të kandidojë më. Ai e mohon kategorikisht të ketë ndërlidhje mes këtyre ngjarjeve. Është kjo invervista e parë e Bajram Mulakut dhënë një medias pas këtij vendimi.
Pas tre kandidaturash dhe tre fitoresh – pse vendosët të tërhiqeni? E keni menduar mirë këtë gjë?
Normalisht. Ndryshe nuk do ta merrja këtë vendim. Janë disa shkaqe që më kanë shtyrë që pas tre mandatesh të tërhiqem. Përvoja më ka treguar që një mandat është pak për të realizuar planet. Dy mandate janë shumë. Tre mandate janë tepër; lëre më katër. Prej arsyeve tjera mund të përmend edhe moshën – pak të shtyer. Kështu, duke marrë parasysh ngarkesën e madhe që ka një kryetar komune kam marrë këtë vendim. Po ashtu kam vlerësuar që pas tre mandatesh është koha që t’ua lë radhën njerëzve të rinj që mund të kenë një vizion tjetër për zhvillimin e qytetit.
Mos u frikësuat nga humbja e mundshme? Mund ta keni bërë nga droja se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të reflektohej edhe në ato lokale?
S’e besoj që zgjedhjet lokale do të jenë të ngjajshme si ato qëndrore. Nuk dua të tërheq paralele mes tyre. Por për vet faktin që janë bërë ndërrime në kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, ky mund të ketë qenë ky shkaktari që të ketë ndikuar në rezultatin e saj zgjedhor. Mendoj që në komunën tonë është bërë punë e mirë, solide, e tillë që kandidati i PDK-së mund të thirret në të, por natyrisht edhe në bagazhin e vet intelektual.
Apo është kjo(ikja juaj) lëvizje e Kadri Veselit?
Kryetari i partisë, por edhe ai i degës më kanë kërkuar disa herë që të vazhdoj edhe këtë mandat. Por unë kam qenë i vendosur që të mos e bëj këtë gjë dhe ata duke parë këtë gjë janë tërhequr. Unë edhe këtë mandat që po e përfundoj pata hezituar të kandidoj për të.
Mendoni se rezultati i zgjedhjeve qendrore është faj direkt i qeverisjes së PDK-së?
Fakti që PDK-ja ka udhëhequr me qeverinë qëndrore në tre mandate është hendikep, sepse qytetarët kërkojnë dicka të re. Lërme më pastaj akuzat për korrupsion dhe qeverisje jo të mirë. Nuk e shoh si të çuditshme qasjen e popullit që kësaj here të kërkojë ndryshime. Aspak.
Kush e ka goditur më shumë PDK-në? Periudha e gjatë në qeverisje, apo reformat?
Dyjat ngapak. Vet reformat janë moment që gjenerojnë kësi situatash. Kadri Veseli nuk e ka pasur rastin ta tregojë veten me punë. Megjithëse e theksoj se ai e ka marrë drejtimin e partisë në një kohë të vështirë. Por e di që ka vendosmëri të jashtëzakonshme që të vazhdojë me punë, me qasje pozitive, me angazhim pozitiv dhe besoj që do të ketë sukses.
A e ka hendikepuar Veselin vet figura e Hashim Thaçit?
Është pak i hendikepuar sepse Hashim Thaçi ka qeverisur me vendin në dy mandate, ndërsa PDK-ja në tre mandate. Qeverisja e gjatë e PDK-së e ka hendikepuar Kadri Veselin. Sepse, siç e thashë edhe më herët, populli do ndryshime, do të shohë nëse dikush mund të ketë rezultate më të mira.
Si i vlerësoni kandidatët e sivjemë?
Nuk më takon mua të jap vlerësime për kandidatët e sivjemë. Por sa i përket kandidatit të PDK-së, kujtoj që me punën që kam bërë unë dhe PDK-ja gjatë qeverisjes sime, besoj që i kemi lënë trashëgim një bagazh të madh të punëve të mëdha dhe mund të dalë ballëhapur për ta kërkuar votën.
Pasi folëm për ikjen, të bëjmë një kthim prapa në kohë dhe të flasim për ardhjen – në krye të komunës. Si ndodhi? Kush ju propozoi? Kush ju bindi?
Më 2007 propozimi i pushtetit lokal nuk ka qenë që unë të jem kandidat. Por kryesia e PDK-së më ka thirrur në bisedë për të ma dhënë këtë propozim. Përveç Hashim Thaçit, si kryetar partie, kam biseduar edhe me Jakup Krasniqin, atëbotë sekretar i përgjithshëm i saj dhe dikur i burgosur politik bashkë më vëllanë tim. Pas negociatave të gjata ai më ka bindur që ta pranoj propozimin.
Ju keni ardhur në krye të komunës para se PDK-ja të merrte drejtimin e ekzekutivit? A ndjeni se keni tagër në fitoren e PDK-së në nivel qëndror më 2008?
Së pari dua të flas për besimin e marrë nga qytetarët. Nuk kam qenë personalitet i panjohur për qytetarët e Vushtrrisë. Kam punuar në gjimazin e qytetit, më pastaj në shkollë të lartë dhe në fakultet në Mitrovicë. Shumë vushtrrias kanë studiuar aty. Pastaj kam pasur aktivitet politik për rreth 10 vjet në LDK, ku kam punuar në funksion të mbijetesës së shkollës shqipe, në organizime të ndryshme për të mbledhur ndihma për qytetarët në nevojë. Kemi punuar fort edhe në pajtimin e gjaqeve. Ndoshta këto punë që kam bërë në të kaluarën kanë ndikuar që ta kem besimin e qytetarëve qysh në mandatin e parë.
Nuk ju pengoi veprimtari në LDK që ta keni besimin e zyrtarëve më të lartë të PDK-së për kandidaturën tuaj?
Jo aspak. Kam pasur dhe vazhdoj të kem edhe në këto momente mbështetjen e plotë të tyre.
Nuk na e thatë ende, ndjeni se e keni ndihmuar partinë në zgjedhjet e përgjithshme me fitoren tuaj?
Nuk mund ta them dot këtë gjë. Por nëse është ashtu, do të më vinte mirë.
Si e gjetët komunën kur morët drejtimin e saj?
Siç ishte e gjithë Kosova. Një vend i dalë nga komunizmi – jugosllav – që e kishte lënë krejt pas dore. Vend me shumë mungesa. Kosova ka qenë e prapambetur sepse ka qenë nën thundrën serbe. Shto këtu edhe shkatërrimet nga lufta. Të gjitha këto i gjeta kur mora drejtimin e komunës. Duke marrë parasysh dëmet e luftës, pas saj të gjithë u munduan të ndërtojnë ashtu si mundën. Kështu qe krijuar një anarki urbanistike. Nuk ka pasur rrjet të mjaftueshëm rrugës, ujësjellësi, shkollash, hapësira publike. Gjëja e parë që kam bërë ka qenë hartimi i një plani urban, në mënyrë që gjithçka të ndërtohet sipas tij.
Besoni se ia keni dalë ta ligjësoni dhe strukturoni sipërfaqen ubrane në Vushtrri?
Deri tani kemi ndërtuar mbi 400 kilometra rrugë. E kam parë rrjetin e rrugëve si premisë themelore për zhvillimin ekonomik të komunës. Kanë mbetur vetëm dy fshatra ku nuk kemi arritur t’i asfaltojmë rrugët. Është punuar edhe në infrastrukturën e ujësjellësit. Tani kemi fabrikën për përpunimin e ujrave në fshatin Balinc.
Përvec ndërtimit të fabrikës së ujit, cilat janë dy ose tri arritjet tjera që ju i vlerësoni më lart gjatë mandatit tuaj?
Projekti i parë i rëndësishëm që qytetarët e Vushtrrisë ka qenë ndërtimi i shtratit të lumit Tërstenka. Duket i thatë gjatë verës, por ka ditur të vërshojë gati gjysmën e qytetit. Po ashtu ndërtimi i rrugës në hyrje të Vushtrrisë, bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, si edhe ndërtimi i shkollave dhe objekteve shëndetësore, që kanë ndikim direkt në jetën e qytetarëve.
Po shtoj se kemi realizuar mbi 1630 projekte, në vlerë monetare prej mbi 110 milionë eurosh.
Po dështimet?
Unë nuk i quaj dështime, por projekte që ende nuk janë kryer. Ndër to, ndërtimi i shtëpisë së kulturës. Nuk e llogaris si dështim, pasi projekti është në zhvillim e sipër. Kemi një marrëveshje me Ministrinë e Kulturës, në bazë të së cilës është dashur që ne ta hartojmë projektit. Por pasi ky proces ka marrë pak më tepër kohë, kemi pasur probleme me fondet. Ndaj është ende e paqartë a do të mund të tenderohet në këtë vit.
E kam pasur ëndërr që të ndërtoj një objekt për familjet e dëshmorëve dhe për nevojtarët. E kemi ndarë truallin për këtë gjë. Kemi hartuar një projekt ideor, por në mungesë fondesh nuk kami arritur ta fillojmë ende.
Kemi një vendim që të ndërtohet sheshi ‘Hasan Prishtina’, në hapësirën ku për momentin gjendet objekti i komunës dhe kemi ndarë mjetet që të ndërtohet shtatorja e tij. Janë shpallur tenderët për të dyja. Po presim kohën që të kalojmë në objektin e ri të komunës që të fillojë ndërtimi i sheshit. Në kuadër të kësaj kam bërë disa herë kërkesë – në qeveri si edhe në komunën e Kukësit – që eshtrat e Hasan Prishtinës të kthehen në qytetin tonë; me kërkesën edhe të familjarëve të tij. Por deri tani nuk kam marrë asnjë përgjigje.
Kush e ka fajin?
Nuk dua të flas për këtë gjë, por është me rëndësi që kjo gjë nuk po ndodhë.
Por po shtoj se kemi bërë përpjekje që t’i kthejmë edhe eshtrat e Shotë Galicës. Edhe në këtë tentativë kemi hasur në pengesa. Qeveria shqiptare po heziton në këto dy raste.
Do të thotë fajtore qenka ajo?
Nuk e them dot. Ndoshta.
Në fund të mandatit të tretë, si është bilansi i Bajram Mulakut?
Mendoj që kemi bërë punë të mira. Më vjen keq ta them por kur e kam marrë unë drejtimin Vushtrria ka qenë qytet mesjetar. I pazhvilluar, me urbanizëm të egër. Por ka ndryshuar për të mirë. Fakti që për këto dhjetë vjet janë investuar mbi 110 milionë euro vetëm në investime kapitale. Kurrë në histori qyteti nuk ka ndryshuar më shumë mendoj unë. Por prapë e them: ka mundur të bëhet më mirë. Gjithmonë mund të bëhet më mirë, me një angazhim të madh të secilit.
Çka pas? Cili do të jetë Bajram Mulaku pas 22 tetorit?
Pas këtij mandati kam qenë i interesuar të mos merrem me politikë fare. Pata vendosur që në seancën e fundi të deklarohem se që nga ai moment do të jem apartiak. Por kam pasur kërkesa, lutje, për të mos thënë presione nga miq, nga zyrtarë të partisë që të vazhdoj brenda strukturave të saj.
Presione, të çfarë lloji?
Në kontekst pozitiv natyrisht. Pasi i kam dëgjuar të gjitha këto kam pranuar propozimin e partisë që të jem kandidat për deputet i Kuvendit Komunal dhe të jem bartës i listës.
Do të thotë Bajram Mulaku vazhdon me PDK-në?
Me PDK-në, natyrisht. Sepse me PDK-në kam kryer shumë punë në të mirë të bashkëqytetarëve të mi. Nuk kam asnjë arsye që të largohem prej kësaj partie.
Si e sheh të ardhmen e PDK-së, në Vushtrri, por edhe në Kosovë?
Punë duhet. Në nivel lokal, por edhe në atë qëndror. Me këtë qasje mund të mbijetohet dhe të ecet përpara, edhe në atë lokal, edhe në atë qëndror. Ndryshe jo.