Muqolli: Enver Maloku u kërcënua disa herë me telefon, ai ishte zemra e QIK-ut

Prishtinë | 11 Jan 2022 | 18:55 | Nga Ekonomia Online

Redaktori i Qendrës për Informim të Kosovës, Ramadan Muqolli ka folur për aktivitetet e veprimtarit Enver Malokut në Qendrën për Informim të Kosovës.

Muqolli tha se Enver Maloku ka qenë zemra e QIK-ut, duke e përshkruar atë si njeri jashtëzakonisht energjik.

“Ishte jashtëzakonisht energjik, i guximshëm, pra me guxim intelektual. Ka qenë i pakompromis me të vërtetën, me çfarëdo ndikimesh tjera nga jashtë. Ai ka qenë edhe autor i shkrimeve e publikimeve të veçanta.Një kohë ka botuar nga viti 1995-97 revitën “Ora”, revistë politike, ka botuar edhe libra e shkrime, publicistike, me idenë për lirinë e Kosovës”, tha Maloku.

Ai tha se vrasja e Malokut ishte e paralajmëruar dhe se ishte kërcënua disa herë me telefon, përcjell Klankosova.tv.

“Ishte vrasje e paralajmëruar, muaj më parë kishte ndodhur një atentat i dështuar, atentati i dytë i 11 janarit ishte fatal.Unë e kam pasur Malokun mik të shtëpisë, jam njohur që nga shkolla fillore, diskutime për këtë temë kam pasur, ai u vra për punën e QIK-ut. Më ka treguar se në dy raste ka pasur kërcënime me telefon. Nga persona që as atëherë si ka ditur Enveri dhe kanë mbetur të panjohur.Ishte Serbia që kishte interes vital për shuarjen e zërit që promovonte lirinë për Kosovës. Ishte obsesion për Beogradin”, tha ai.

Muqolli tha se QIK-u e kishte të vështirë funksionimin pa Enver Malokun.

“Kosova duhet t’i zbardh që të gjitha rasteve, paqe për familjet dhe Kosovën nuk do të ketë pa u zbardhur vrasjet politike. Kjo ishte vrasje politike, nuk diskutohet. Ishte goditje e rëndë për QIK-un. Në kuptimin profesional ndikoi vrasja e tij, sepse ishte strumbullari i QIK-ut, por ne vazhduam punën sepse zgjidhje tjetër nuk kishim. U vra edhe Xhemajl Mustafa, ai u vra pas luftës, pas zgjedhjeve të para të lira, pastaj u krijua një atmosferë e pasigurisë, u shtruan pyetjet se pse po ndodhin vrasjet e tilla? Këto ishin dy vrasje që lanë të hapura pikëpyetje e dilema të shumta”, tha tutje ai.

Tutje, ai tha se Qendra për Informim e Kosovës ishte e goditur nga vrasja e Malokut, duke u shprehur se të gjithë ishin të lënduar.

Të ngjashme