Qeveria e kaluar e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti kishte miratuar Paketën emergjente fiskale për të mbështetur bizneset dhe individët të cilët kanë hasur vështirësi gjatë pandemisë COVID-19.
Në këtë paketë është paraparë që punëtorët të përfitojnë nga 170 euro për dy muaj, përkatësisht prill dhe maj. Deri tani, edhe pas krijimit të Qeverisë së re, shumë biznese dhe punëtorë ende nuk i kanë marrë pagesat e premtuara.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kishte thënë se, nuk ka buxhet për të bërë pagesat e dyta për punëtorët nga Paketa emergjente.
Lidhur me këtë, kryetari i Komisionit për buxhet dhe transfere, Hekuran Murati për Telegrafin ka thënë se, këto pagesa mund të bëhen edhe pa rishikim të buxhetit.
“Pagesat e dyta do të mund të bëheshin edhe pa ri-shikim të buxhetit. Sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, mund të bëhen transfere deri në 25 për qind ndërmjet kodeve buxhetore. Pra mjafton të shkurtohet asfalti, që të mund të kryhen pagesat”, tha Murati.
Ai ka shtuar se, edhe pse i është lejuar Qeverisë që të tejkalojë deficitin buxhetor, sipas tij, ende nuk ka pagesa për qytetarët.
“Në mungesë numrave për t’i kaluar projektligjet në Kuvend, kjo qeveri jolegjitime dhe e paligjshme po mundohet që t’i bëjë presion opozitës për t’ia votuar projektligjet, nën pretekstin e pagesave për qytetarët. Një gjë të ngjashme e thanë edhe muajin e kaluar, kur kërkuan nga Kuvendi lejimin e tejkalimit të deficit. Pra, “na e lejoni tejkalimin, në mënyrë që t’i kryejmë pagesat për qytetarë”. Leja për tejkalim u dha, por pagesat për qytetarë ende as gjëkundi”, tha ai.
Edhe përfaqësues të bizneseve thonë se mospagesa e deritanishme e këtyre mjeteve është mungesë e vullnetit të Qeverisë aktuale për t’i përkrahur bizneset dhe punëtorët.