Çështja e personave të pagjetur mbetet plagë e rëndë e Kosovës

Prishtinë | 08 Dhj 2016 | 16:20 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell kanë lansuar projektin mbështetës të Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për ndihmën në ndriçimin e fatit të këtyre personave.

“Kjo përkrahje, veçmas është rezultat i vizitës që kishte në Kosovë Princi Charles, i cili tregoi një kujdes të veçantë dhe një dhimbje të veçantë për personat e pagjetur dhe për familjarët e këtyre personave. Prandaj, unë dëshiroj të falënderoj Mbretërinë e Bashkuar, familjen mbretërore për këtë kujdes që tregojnë për Kosovën, dhe po ashtu të them që Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e interesuar që të mbaj një partneritet të tillë me një partner kaq serioz dhe kaq të përkushtuar ndërkombëtar siç është Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që atë që mund ta bëjmë bashkërisht ta bëjmë për ndriçimin e fatit të personave të cilët akoma nuk janë gjetur dhe veçmas që të shuajmë dhimbjen e familjes së tyre dhe rrethit të tyre por edhe të gjithë kosovarëve sepse të gjithë ne ndjehemi shumë keq për 1660 persona të cilët akoma kërkohen dhe nuk janë gjetur”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa bëri të ditur se përmes këtij projekti do të trajtohet fuqizimi i kapaciteteve institucionale, zbatimi i vlerësimit me qëllim të plotësimit të infrastrukturës ligjore dhe rritjes së rezultateve përmes rritjes së bashkëpunimit në mes akterëve kryesorë vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.

“Unë vetëm dëshiroj të them se çështja e personave të pagjetur mbetet plagë e rëndë e kosovarëve, e shtetit të Kosovës, jo vetëm e familjeve të tyre dhe jo vetëm e komisioneve dhe njerëzve të cilët punojnë drejtpërdrejt me këto çështje. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdoj të përkrah plotësisht punën e institucioneve që merren me këtë fushë dhe do të mundohet maksimalisht që t’i merr parasysh të gjitha kërkesat, vërejtjet, propozimet dhe angazhimet e juaja në mënyrë që puna jonë të jetë sa më efikase dhe të arrijmë që sa më mirë ta bëjmë këtë punë”, tha kryeministri Mustafa.

Ambasadori Ruairi O’Connell theksoi rëndësinë që të bëhet më shumë për zbardhjen e fatit të këtyre personave.

“Kam frikë se procesi i gjetjes së personave të zhdukur ka stagnuar. Më shumë mund të bëhet nga të gjithë. Disa aktivitete që janë shumë teknike dhe të drejtpërdrejta dhe dalin nga Ligji për personat e zhdukur i miratuar në vitin 2011, duhet të përfundohen dhe unë kërkoj nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur që të përfundojnë shënimet në regjistrin qendror të personave të zhdukur, që është e përkrahur nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtarë dhe të finalizoj aktet nënligjore për themelimin e regjistrit qendror dhe në mbylljen e rasteve”, tha ambasadori.

Ambasadori O’Connell ka theksuar se ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm për të ardhmen e popujve në Ballkan.

“Ballafaqimi me të kaluarën është esencial për të ndërtuar mundësinë për një të ardhme më të mirë. Personalisht besoj se askush nuk mund të ndërtoj të ardhme më të mirë nëse nuk e pranon, dëgjon dhe nuk mundohet të gjej zgjidhje për dhimbjen dhe plagët e së kaluarës. Do të ketë sfida do të jetë e vështirë, ne e dimë të gjithë këtë. Por e vetmja mënyrë për të ecur përpara është që të gjithë të punojmë së bashku. E di që Kosova mund ta bëjë këtë dhe e di që shoqëritë në gjithë Ballkanin munden, dhe ne jemi këtu për t’ju ndihmuar”, tha ambasadori.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, shprehu nevojën e angazhimit të përbashkët për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Angazhimi ynë i përbashkët, presioni më i madh i komunitetit ndërkombëtar tek përgjegjësit është i domosdoshëm nëse vërtetë duam që kjo temë të mbyllet njëherë e përgjithmonë dhe sa më parë. Në anën tjetër, mbyllja e kësaj teme pra zbardhja e fatit të secilit person të rrëmbyer dhe të vrarë gjatë luftës, është parakusht esencial për arritjen e pajtimit në mes të popujve dhe shteteve në këto hapësira”, tha zëvendësministri Dushi.

Bajram Qerkini, përfaqësues i shoqatave familjare në Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, tha se familjarët janë mirënjohës me punën që po bëhet dhe me projektin madhështor për personat e pagjetur.

“Dëshiroj që ky projekt të shfrytëzohet ashtu siç mendohet më së miri për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ne e kemi një komision dhe një grup dialogues, por edhe kryeministrin i cili di të qoj çdo cent aty ku duhet”, tha Qerkini.

isa1

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme