Mustafa e quan mashtruese listën e përbashkët të partive shqiptare në Luginë

Prishtinë | 17 Qer 2020 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare – PDSH, e ka quajtur mashtruese listën e përbashkët shqiptare të Luginës së Preshevës që do të garojë në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

PDSH-ja ka refuzuar të jetë pjesë e kësaj liste, derisa refuzon edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet në Serbi, që do të mbahen të dielën, më 21 qershor.

“Është një qëndrim tradicional i PDSH-së që nga themelimi i saj i vitit 1990. Partia jonë vetëm njëherë ka marrë pjesë gjatë viteve të 90-ta. Porse nuk ka dalë asnjë sukses me angazhimin e deputetit popullor në parlamentin e Serbisë. Më vonë sigurisht asnjëherë s’kemi marrë pjesë, sidomos pas luftës në Kosovë dhe në Luginë”, ka thënë Mustafa në “Express Intervistën” në KTV.

Sipas tij është e qartë për shqiptarët sepse nuk zgjidhet asnjë problem i shqiptarëve, e madje nuk dëgjohet as zëri i tyre.

Mustafa ka thënë se tani pjesëmarrja bëhet vetëm për të marrë një ulëse, apo dy apo tri në parlamentin serb, e kjo arrihet duke i mbushur kutiat.

“PDSH-ja, jo që në emër të kryetarit të saj nuk dalin në zgjedhje, por nuk dalin shqiptarët. Të dielën janë zgjedhjet dhe gjer sot nuk ka asnjë manifestim i listës së përbashkët, për thirrje për zgjedhje parlamentare. Tubimet janë të lejueshme deri në 1 mijë, e ata as 100 nuk kanë tubuar. Si mund të dilet në zgjedhje, që duhen hiq më pak se 10 mijë ose 15 mijë për të shkuar dy deputetë. Është shumë e lehtë të diskutohet se shkuarja në parlamentin e Serbisë bëhet me mbushjen e kutiave dhe shkeljen e tyre. Sepse këtu nuk i pengon as shteti serb, dhe në këtë fushë e kanë të garantuar mbushjen e kutive, por jo mbështetjen e popullit”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se si të gjithë shqiptarët e Kosovës edhe ata të Luginës duan lirinë e tyre.

“Në këtë fushë shqiptarët e Luginës meritojnë njëherë e përgjithmonë të shkëputen nga Serbia, dhe jo t’i bashkohen Serbisë në procese që çojnë në diskriminim përfundimtar të shqiptarëve. Ministria e Brendshme ç’regjistron pamëshirshëm shqiptarët në gjendjen civile në stacionet policore në Luginë. Me këtë ua pamundëson të kenë letërnjoftimin dhe të drejtën e votës. Modelet merren nga përvojat e mira të të tjerëve. Nuk është e domosdomshme që liria të fitohet me luftë, por duke i thënë kundërshtarit se ne nuk jemi me ju”, ka thënë ai.

Tutje Mustafa ka shtuar se represioni serb është më i moderuar.

“Serbia nuk bën represion ushtarako policor, por tani po e bën me metoda më të moderuara, po e ç’regjistron popullatën shqiptare. Nuk kemi një bashkëbisedues serioz me të cilën mund të bëjmë diçka. Në këtë kohë ishte në vizitë Cakaj. Derisa ishte aty vazhdonte ç’regjistrimi i popullsisë. Kjo është një listë fund e krye mashtruesish kur nuk ka kërkesë për asnjë votë, pas tri dite janë zgjedhjet dhe nuk ka asnjë tubim. Absolutisht se jo (s’mund të arrijnë të marrin tre deputetë), por do të mbushin kutiat, kështu ka ndodhur edhe për 13 vite të shkuara. Nuk do ta pengojë Beogradi. Opozita serbe do të bojkotojë zgjedhjet. Serbisë i konvenon për të bërë të vlefshme zgjedhjet dhe për të ndërtuar koloritin mashtrues para bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Mustafa. “Ai (Cakaj) është orientuar duke i besuar ca politikanëve mashtrues në Luginën e Preshevës”.

Ai ka shtuar se tani është koha që Kosova të merret me Luginën e Preshevës.

“Serbisë po i jepet aq hapësirë e madhe në politikën botërore që të merret me serbët në Kosovë, kush do ta pengojë angazhimin e Kosovës për Luginën. Këtë fuqi Kosova dhe shqiptarët e kanë në SHBA. Është e vërtetë se miqtë e Amerikës janë zotuar që të jenë në krahë të shqiptarëve pasi e kanë kuptuar diskriminimin e shqiptarëve. Kur po zgjidhet problemi shqiptaro-serb duhet të futet edhe Lugina. Çfarëdo që Serbia do të kërkojë për serbët, të kërkojë të njëjtën edhe Kosova”, është shprehur ai.

Të ngjashme