Mustafa: Jemi në rrugë të mirë drejt integrimit Euroatlantik

Prishtinë | 24 Tet 2016 | 10:26 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri, Isa Mustafa, i është falënderuar NATO-s, për ndërhyrjen që ka bërë në Kosovë në vitin 1999.

Mustafa ka folur për rolin e NATO-s në Kosovë respektivisht KFOR-it. Ai tha se forcat e KFOR-it janë ende të domosdoshme në Kosovë, sipas tij qytetarët gëzojnë një besim të plotë tek forcat e KFOR-it.

“Theksoj se NATO ka një rol të veçantë në Kosovë, ne jemi të interesuar për bashkëpunim të mirë sidomos me KFOR-in. Mund të them me përgjegjësi të plotë se besimi i qytetarëve tek KFOR-i është tejet i lartë dhe se bashkëpunimi është në nivel duke ditur misionin e saj në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Ne jemi ende të interesuar të KFOR-i që qëndroj në Kosovë”, tha ai.

Gjatë sesionit të shtatë të seminarit Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Mustafa i ka njoftuar të pranishmit me situatën e Kosovës së pasluftës, dhe ka numëruar të arriturat që vendi ka pasur që nga përfundimi i konfliktit e deri më tash.

Mustafa ka deklaruar se Kosova është e përkushtuar në forcimin e demokracisë dhe integrimit në Bashkim Evropian dhe NATO.

“Ne gjatë kësaj periudhe 17 vjeçare, Kosova ka bërë një progres të rëndësishëm. Edhe në evitimin pasojave të luftës, edhe në ndërtimin e institucioneve demokratike edhe në ndërtimin e partneritetit me BE-në dhe vendet e tjera. Dua t’ju falënderoj për gjithë atë që NATO-ja ka bërë për Kosovën. Ne jemi në rrugë të mirë drejt integrimit euroatlantik. Jemi vend që synojmë dhe kemi vlera demokratike”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ku ka folur ndër të tjera edhe për Demarkacionin dhe Asociacionin e komunave serbe.

Mustafa deklaroi se si pasoja e Demarkacionit dhe veprimeve të dhunshme, duke aluduar në opozitën, është penguar puna e Qeverisë.

Kryeministri ka thënë se Qeveria është e bindur se vija kufitare është shënuar që është kufizuar më parë krahina e Kosovës me Malin e Zi dhe “jemi të sigurt që s’kemi humbur asnjë centimetër tokë, ndërkaq opozita pretendon se kemi humbur rreth 8 mijë e 200 hektarë tokë”.

Mustafa ka shtuar se Asociacioni do të themelohet në bazë të marrëveshjes dhe mendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në vazhdim mund ta lexoni fjalimin e plotë të Kryeministrit Mustafa:

Të nderuar anëtarë të Asamblesë së NATO-s, ju uroj mirëseardhje në Kosovë dhe po ashtu shpreh gëzimin dhe mburrjen tonë që ju kemi këtu të gjithë juve dhe që kemi shansin që bashkërisht të bisedojmë për disa çështje që ne i vlerësojmë të rëndësishme që t’i ndajmë së bashku me ju.

 Mund të them se ne gjatë kësaj periudhe, mbi 17 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s dhe gati 9 vjet pas shpalljes së Pavarësisë në Kosovë, kemi bërë një progres të rëndësishëm edhe në evitimin e pasojave të luftës, në kapërcimin e fazës emergjente të rindërtimit të vendit, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe tani në ndërtimin e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe me vendet tjera.

Në qoftë se ne e shikojmë zhvillimin tonë brenda një historie që përfshin një periudhë të shkurtër pas çlirimit për këto 15 vjet, kemi bindjen se ndalja e të këqijave nga shkatërrimi i luftës,  mbrojtja e jetëve të njerëzve, pastaj kthimi i atyre që janë dëbuar, por edhe mbrojtja e dinjitetit të atyre që janë dhunuar, janë keqpërdorur, e masakruar gjatë luftës, e arsyeton në mënyrë të plotë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, dhe po ashtu e arsyeton në mënyrë të plotë edhe progresin që NATO po e bënë si një forcë e cila e ruan paqen dhe stabilitetin edhe në rajonin tonë, por edhe në botë.

Dëshiroj që edhe njëherë t’ju falënderoj për gjithë atë që NATO-ja ka bërë për Kosovën dhe të shpreh përkushtimin tonë që ne të forcojmë bashkëpunimin dhe që në një periudhë të caktuar kohore, atëherë kur të plotësohen të gjitha rrethanat, që edhe ne të bëhemi anëtarë të NATO-s.

Dëshiroj po ashtu të nënvizoj se ne jemi në rrugë të mirë të përkushtimit tonë euroatlantik, në rrugë që të bëhemi pjesë e koncepteve dhe projekteve gjeopolitike euroatlantike dhe një vend i cili është i përkushtuar që të ndërtoj institucione demokratike dhe vlera demokratike dhe gjitha këto t’i ndajë me botën demokratike perëndimore.

Sa i përket NATO-s theksoj se interesimi ynë është që të kemi bashkëpunim aktiv me NATO-n. Ne vlerësojmë shumë prezencën e KFOR-it në Kosovë. KFOR-i ka një autoritet shumë të lartë dhe një besim shumë të madh të qytetarëve, sepse nuk është një forcë që vetëm ka ruajtur stabilitetin në Kosovë, ka ruajtur paqen, por po ashtu ka treguar një integrim shumë të madh në pikëpamje të bashkëpunimit me komunitetin, përkatësisht me qytetarët në të gjitha pjesët e vendit në të cilin ai ka vepruar gjatë kësaj periudhe dhe po vepron.  Ne po ashtu  jemi të interesuar që edhe më tutje të qëndroj në Kosovë si pjesë e stabilitetit, paqes dhe besimit të të gjithë qytetarëve përfshirë edhe komunitetet.

Gjatë periudhës së pasluftës ne kemi pasur prioritete të ndryshme varësisht se çfarë periudhe kemi kaluar, nga ato të kapërcimit të pasojave të pasluftës si situatë emergjente, pastaj të ndërtimit të institucioneve demokratike dhe tani të konsolidimit të demokracisë dhe të integrimeve evropiane.

Si Qeveri jemi përcaktuar që si prioritet të kemi tani zhvillimin ekonomik, përkatësisht rritjen ekonomike dhe punësimin, forcimin e  shtetit ligjor që nënkupton luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, integrimet në institucionet e Bashkimit Evropian dhe ngritjen e cilësisë në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, si dy fusha shumë të rëndësishme për ne, që nuk janë vetëm sociale por edhe ekonomike, sepse ndihmojnë zhvillimin ekonomik.

Vitin e kaluar ne kemi përmbyllur me një rritje ekonomike prej 4 për qind, që ka qenë rritja më e lartë në regjion dhe po ashtu me trende pozitive sa i përket punësimit. Por, nuk kemi arritur që të sigurojmë një fluks të punësimit i cili e përballon numrin e të papunëve që hyjnë në tregun e punës sepse tek ne diku rreth 22 mijë çdo vit hyjnë në tregun e punës, ndërkaq ne vitin e kaluar kemi arritur që të kemi 18 mijë të punësuar, por llogarisim që këtë vit do ta kemi prapë një diferencë më të ultë mes fluksit të atyre që hyjnë në tregun e punës dhe fluksit të punësimit që do të jetë një trend pozitiv. Rritja ekonomike kryesisht ka qenë rezultat i investimeve private por edhe rezultat i masave fiskale të cilat ne i kemi marrë për të krijuar një ambient më të mirë ekonomik në vend. Kemi stabilizuar tërësisht buxhetin e shtetit, kemi rrit të hyrat nga tatimet dhe taksat, për rreth 30 për qind gjatë këtyre dy viteve, po funksionon mirë marrëveshja që e kemi me Fondin Monetar Ndërkombëtar e cila na lejon që të kemi edhe borxh të jashtëm më shumë sesa që ne kemi pasur si kufizim të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërkaq një përparësi që e kemi ne ndaj vendeve fqinje dhe vendeve tjera është se borxhi publik, ose pjesëmarrja e borxhit publik në GDP është shumë e ultë. Kjo pjesëmarrje tani është rreth 13.2 për qind, gjë që na lejon hapësirë shumë të madhe zhvillimore në bashkëpunim me vendet e Bashkimit Evropian, përkatësisht organizatat financiare ndërkombëtare, me Bankën Evropiane për Zhvillim, Bankën Evropiane për Investime, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore e tjera, të cilat instrumente ne tani po i shfrytëzojmë dhe kemi hapur mundësi të investimeve në fusha të ndryshme.

Kemi një bilanc tregtar i cili është shumë negativ dhe të cilin jemi të interesuar ta përmirësojmë, sepse importet janë të mëdha të produkteve elementare dhe ne po bëjmë tani përpjekje që përmes dhënies prioritet të zhvillimit të bujqësisë të zëvendësojmë një pjesë të produkteve që ne duhet t’i importojmë me produkte vendore dhe të rrisim eksportin.

Sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit, mund të them se perceptimi në Kosovë për korrupsionin është akoma i lartë edhe përkundër masave që po ndërmerren çdo ditë  për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Ne kemi marrë masa sa i përket adaptimit të ligjeve në mënyrë që të krijohet një bazë juridike shumë më efikase për luftimin e krimit dhe korrupsionit, kemi përpunuar veçmas sektorin e prokurimit publik, ku kemi të bëjmë me investimin e parasë publike dhe kundërthënien mes pronës private dhe asaj publike.

Kemi hyrë në aplikimin e parë të prokurimit elektronik dhe atë po e bëjmë në fillim të këtij viti në disa institucione qendrore, ndërsa nga viti i ardhshëm do ta bëjmë në nivel të pushtetit lokal. Kemi marrë masa për suspendimin e gjithë atyre që janë ardhur në kundërthënie me ligjin, ose ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Fjala është për shërbyes civil dhe punonjës qeveritar, dhe po ashtu mund të them se kemi një efikasitet më të lartë të prokurorisë, gjyqësisë dhe të institucioneve që merren me mbrojtjen e interesave të vendit.

Në fushën e bashkëpunimit evropian ne kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim vitin e kaluar, ndërkaq këtë vit ka hyrë kjo marrëveshje në fuqi. Është një marrëveshja e cila neve na hapë mundësi që të kemi qasje në tregun e Bashkimit Evropian që është një treg prej mbi 500 milionë banorësh, dhe këtë mundësi e kemi. Por tani po punojmë që të përgatisim bizneset tona, në pikëpamje të konkurrencës dhe për këtë arsye ne me Bashkimin Evropian tani jemi duke punuar në reformën evropiane dhe në reformën ekonomike në mënyrë që të kapërcejmë këto sfida të konkurrencës në tregun e Bashkimit Evropian.

Për herë të parë ne jemi bërë kandidate të organizatës amerikane, Korporata e Sfidave të Mileniumit për të realizuar disa projekte që bashkërisht i konsiderojmë me këtë korporatë. Po punojmë tani në identifikimin e tyre. Orientimi është te energjia, efiçienca e energjisë, dhe forcimi i shtetit ligjor dhe mendoj se do të kapërcejmë edhe këtë sfidë.

Ndërkaq sa i përket arsimit dhe shëndetësisë, në vitet e kaluara ne në fushën e arsimit, prioritet i kemi dhënë përfshirjes në arsimin e lartë. Tani prioritetet janë kthyer kah cilësia e arsimit të lartë dhe gjitha niveleve të arsimit, parashkollor, fillor, të mesëm dhe të lartë dhe po ashtu kemi krijuar një konkurrencë ndërmjet sektorit publik dhe sektorit privat të arsimit dhe mendoj se kjo po jep rezultate të caktuara.

Kemi pasur kundërvënie të opozitës sa i përket dy marrëveshjeve që ne i kemi arritur vitin e kaluar: Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, të cilat në një formë kanë ndikuar që ne një kohë të rëndësishme ta humbin duke u marrë me këto çështje. Është penguar puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe po ashtu kemi pasur protestë të dhunshme. Por, mund t’ju them se kemi arritur që këto t’i kapërcejmë si veprime të dhunshme, ndërkaq Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të themelohet, por do të themelohet mbi bazën e marrëveshjes, e cila është arritur si marrëveshje e parë dhe mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila siguron që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë pushtet i tretë. Ndërkaq, sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, Qeveria është e bindur se vija kufitare është shënuar në vijën që është kufizuar më parë krahina e Kosovës me Malin e Zi, se e kemi ruajtur tërë territorin e Kosovës dhe nuk kemi humbur asnjë kilometër katrorë edhe përkundër asaj që opozita insiston se Kosova në këtë proces ka humbur rreth 8200 hektarë, por ne sipërfaqen e Kosovës e kemi edhe pas kësaj atë që e kemi pasur edhe më parë.

Me Malin e Zi nuk e kemi asnjë problem sa i përket marrëdhënieve ndër-fqinjësore, por çështjet i kemi të brendshme, të cilat ne duhet t’i zgjidhim në pikëpamje të bindjes edhe të opozitës, por edhe të qytetarëve për pjesën për të cilën kemi të bëjmë me shënimin e kufirit.

Në pikëpamje të raporteve me fqinjët, mund të them se raportet i kemi shumë të mira. Me Serbinë tani po punojmë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Kemi pasur tre takime të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjashtë vende të saj, përfshirë Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën, në të cilat takime kryesisht jemi marrë në çështjen e infrastrukturës, e cila ndërlidhë këto vende, në mënyrë që ne të ndërtojmë infrastrukturën e cila do të jetë kompatibile me infrastrukturën e vendeve të Bashkimit Evropian dhe që në momentet kur ne të bëhemi anëtarë të saj, të kemi rrjet cilësor të komunikimit, ashtu siç i kanë edhe vendet tjera të Bashkimit Evropian.

Marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike i kemi po ashtu të avancuara me këto vende. Me Serbinë kemi arritur disa marrëveshje, në të cilat ka ngecje të madhe në implementimin e tyre, meqenëse ju keni pasur informim për këtë nga ministrja Tahiri, unë nuk do të shtoja më shumë, por nëse ka pyetje dhe interesim më vonë do t’ju jap përgjigjen për këto. Por, ne jemi të interesuar që tani me prioritet të punojmë në implementimin e këtyre marrëveshjeve me Serbinë dhe pastaj të shohim se në cilat fusha të diskutojmë, përderisa dimë situatën që Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Një aktivitet të rëndësishëm tonin, ia kemi përkushtuar luftës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Ju e dini se edhe ne nuk kemi qenë imun ndaj njerëzve, të cilët janë bashkuar në frontet e ndryshme të luftës jashtë vendit.

Kuvendi i Republikës së Kosovës vitin e kaluar e ka aprovuar ligjin vitin e kaluar me të cilin e ka ndaluar bashkimin e qytetarëve tanë në frontet e jashtme, dhe ne kemi arritur nga shtatori i vitit të kaluar të ndalojmë që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos bashkohet në konfliktet e jashtme, përmes një pune shumë të rëndësishme që e ka bërë Policia e Kosovës, e ka bërë Agjencia i Inteligjencës, e ka bërë shoqëria civile, partitë politike në aktivitetet e tyre. Kemi punuar me shkolla, kemi punuar me bashkësitë fetare jo vetëm me komunitetin mysliman por edhe me komunitetet tjera fetare. Kemi aprovuar në Qeveri Strategjinë për Luftë Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit dhe mendoj se është arritur një rezultat mjaft i madh. Ndërkaq nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë marrë masa që të pezullohet puna e 19 organizatave joqeveritare, për të cilat është vlerësuar se në aktivitetet e tyre nuk kanë të bëjnë me punë humanitare, por kanë edhe zhvillime tjera politike të cilat mund të cenojnë stabilitetin e vendit.

Ne jemi të interesuar që të rrisim edhe më tutje dhe të forcojmë sigurinë. Vlerësimi jonë është që gjendja e sigurisë në vend është e mirë. Kemi institucione të cilat janë mjaftë të avancuara, dhe të cilat po  aplikojnë praktikat më të mira evropiane dhe euroatlantike. Jemi shumë të kënaqur me Policinë e Kosovës, me cilësinë e tyre, me disiplinën, dhe me organizimin. Jemi po ashtu shumë të kënaqur me Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe kemi një falënderim të veçantë për NATO-n për gjithë punën që e ka bërë në konsolidimin dhe organizimin e kësaj Force, dhe presim që kjo Forcë nesër të jetë anëtare e NATO-s, dhe para kësaj, të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës, gjë që edhe këtë do ta bëjmë, por lypset që të kemi një mirëkuptim më të mirë brenda Kuvendit të të gjithë grupeve parlamentare që përfaqësojnë, edhe komunitetet. Dhe po ashtu kemi një Agjenci të Inteligjencës e cila është ndërtuar mbi bazën e përvojave më të mira të vendeve të avancuara në këtë fushë.

Ne tani jemi të interesuar që të anëtarësohemi në INTERPOL. Kemi aplikuar për anëtarësim në INTERPOL, sepse kemi dëshirë që të ndajmë të gjitha të dhënat në mes veti dhe të jemi koherent me atë se çfarë ndodh në sigurinë ndërkombëtare. Jemi anëtarësuar në FRONTEX, për të cilën gjë ministri i Punëve të Brendshme më vonë mund t’ju njoftoj edhe më qartë dhe po ashtu jemi të interesuar të avancojmë bashkëpunimin me EUROPOL-in, për të cilën e dimë se s’mund të anëtarësohemi përderisa mos të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian, por mund të kemi forma të ndryshme të bashkëpunimit. Ne tani dëshirojmë që të shndërrohemi nga një vend i cili ka qenë konsumuese e sigurisë në një vend i cili do të eksportoj sigurinë, sepse kemi dëshirë të marrim pjesë në veprimet humanitare të NATO-s në vendet tjera, ose më vonë në operacionet paqësore, sepse vlerësojmë se e kemi një Forcë tani të Sigurisë dhe nesër do të kemi një Forcë të Armatosur e cila është në gjendje që të aplikoj të gjitha standardet e NATO-s dhe të jetë në krah të një Aleance Botërore për paqe dhe siguri.

zkp-2-1

zkp-3

Të ngjashme