Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e parë të Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë.
Shefi i ezkekutivit në fjalën e tij hyrëse tha se ky takim ka rëndësi të madhe në rrugën e Kosovës në rrugën evropiane të Kosovës.
Mustafa foli edhe për rëndësinë e MSA-së, duke shprehur përkushtimin e Kosovës për implementimin edhe ndërmarrjen e reformave si dhe për intensifikimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit me BE-në.
“Kosova nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon rrugë të shkurtër drejt BE-së por kërkon mundësinë e barabartë si të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, për të realizuar vizionin për një të ardhme në Bashkimin Evropian”, tha ai duke theksuar edhe rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Më tej, gjatë takimit janë trajtuar çështjet që lidhen me implementimin e deritashëm të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe për proceset dhe zhvillimet tjera të rëndësishme në Kosovë dhe në raport me integrimet evropiane.
Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga kryeministri Mustafa, përbëhet nga ministrat Enver Hoxhaj, Abdullah Hoti, Skender Hyseni, Hykmete Bajrami dhe zëvendësministrja Anila Statovci.
Takimi u kryesua nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ndërkaq pjesë e delegacionit të BE-së është edhe komisioneri për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn dhe përfaqësues të tjerë të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.