Mustafa në Llap: PDK-ja e katandisi shtetin

Prishtinë | 31 Maj 2017 | 12:37 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka hapur fushatën parazgjedhore në bastionin e LDK-së në Podujevë, aty ku u tha se më së miri është ruajtur fryma rugoviane.

Kryetari i LDK-së njëherit kryeministër në detyrë, Isa Mustafa tha se vetëm koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka kapacitete të nevojshme për ta zhvilluar vendin, raporton Ekonomia Online.

Ai kërkoi nga qytetarët e Llapit ta përkrahin listën e koalicionit dhe kandidatin Avdullah Hoti.

Mustafa tha se “shteti është katandisur shumë keq nga qeverisja e PDK-së dhe vetëm ky koalicion di ta kthej në normalitet”.

“Kam nderin që të ju drejtohem Podujevës dhe Llapit, ju llapjanët keni ruajtur në mënyrë të vendosur frymën dhe politikën e presidentit Ibrahim Rugova. Ju në asnjë ditë, në asnjë orë nuk u larguat nga fryma rugoviane. Ju e dini më së miri se si fitohet dhe e dini më së miri se si mbrohet fitorja, prandaj ne erdhëm këtu për ta filluar rrugën e madhe të fitores”, tha Mustafa.

“LDK i prin koalicionit parazgjedhor me AKR-në, Alternativën dhe Partinë e Drejtësisë, e cila kultivon përgjegjësi dhe kulturë qytetare, jemi bërë bashkë për një qeverisje të mirë dhe demokratike, një qeverisje e cila punon për familjet tona, për të tanishmen dhe të ardhmen tonë”, tha ai.

“Gjatë këtyre dy viteve LDK-ja ka treguar se si qeveriset pa korrupsion. Nën breshrin e gurëve dhe gazit lotsjellës kemi arritur rritjen më të madhe ekonomike. Kemi listën më të mirë për deputet dhe kandidatin më të mirë për kryeministër, dhe të nderuar qytetarë të llapit çdo dit po shihet se koalicioni jonë ta qeverisë Kosovën, i cili vetëm ky mund ta ndërtojë vendin. Vetëm ky koalicion ka dije dhe kapacitete të nevojshme për zhvillimin e vendit”, tha Mustafa.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, duke u drejtuar të rinjve tha se ëndrrat e tyre po bëhen realitet dhe se premtimet e koalicionit të frikës janë të rreme.

“Dikush dëshiron që ta mbaj në mjegull qytetarin dhe ky është koalicioni i frikës dhe i natës. Ne do të arrijmë ta zhvillojmë shtetin me nder, dinjitet, me dije dhe dashuri do ta qeverisim vendin. Premtimet e koalicionit të frikës janë të rreme, ata po kopjojnë programin e koalicionit LDK-AKR-Alternativa. Me qeverisjen tonë çdo i ri do të ketë një vend pune”, tha Pacolli.

Fjalën e tij kryetari i Podujevës, Agim Veliu, e nisi me një minutë heshtje për deputetin e ndjerë Agim Kikaj. Duke u drejtuar të pranishmëve ai tha se me 11 qershor do ta dërgojnë në opozitë koalicionin e frikës dhe të territ.

“Jemi të nderuar që fushata e koalicionit po fillon pikërisht në degën e fitoreve të përhershme në Podujevë. LDK ngriti e udhëhoqi në projekt nacional filozofinë e pavarësisë së shtetit dhe të ardhmes së Kosovës, dhe në krye të saj ishte prijësi burrështetasi Ibrahim Rugova. LDK u përball me sfida të rënda, por përherë në kryefjalë të aktivitetit kishte interesin nacional. LDK për gjysmë mandati bëri të pamundurën të mundur duke krijuar rritjen më të lartë ekonomike”, tha Veliu.

“Ju që jeni sot këtu me ne në koalicionin e parë e larguam nga skema ish-udhëheqësin e PDK-së Hashim Thaçin dhe me koalicionin e shpresës e detyruam të tërhiqet nga kandidatura për kryeministër Kadri Veselin, kurse në ditën e zgjedhjeve do ta dërgojmë në opozitë koalicionin e frikës dhe të territ”, tha Veliu.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti është shprehur i bindur se do të fillojë punën me 12 qershor si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, që siç tha ai, për të vazhduar reformat që ka lënë në gjysmë.

“Sot jemi këtu për të nisur rrugëtimin e fitores. Ky koalicion është që të rinjtë mund ta gjejnë veten ku qytetarët mund të lëvizin lirshëm, pra është koalicioni i shpresës. Kam nderin që kam me vete brezin e republikës, siç e quante Rugova. Kërkoj nga ju që të mos të mashtroheni nga premtimet boshe. Ne kemi një program për zhvillim ekonomik për vende pune”, tha Hoti.

“Porsa të fillojmë punën, do të fillojmë me reformat që kemi lënë në gjysmë për zhvillimin e bujqësisë. Ne kemi dëshmuar se si buxheti i shtetit mund të vihet në të mirw të çdo qytetari. Ne do të kujdesemi që ndërmarrjet publike të çkapen. Ne do të mundësojmë investimet më të mëdha të jashtme që ka parë Kosova”, tha ai.

Hoti theksoi se ky koalicion do të bëjë kthesën e madhe dhe është potenciali më i madh që ka pasur Kosova.

Të ngjashme