Mustafa për 1 vit të Qeverisë Kurti: Kaotike dhe pa strategji, prirje për pushtet represiv dhe propagandë populiste

Prishtinë | 22 Mar 2022 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Sot është bërë një vit kur në krye të qeverisjes së vendit erdhi Albin Kurti.

Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje më 22 mars të vitit 2021 arriti që të marrë 67 vota pro dhe 30 kundër.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk ishte lejuar që të merrte pjesë në zgjedhje për shkak se kishte probleme me ligjin, të cilat ia pamundësonin kandidimin.

Por Vetëvendosje mori mbi 50 përqind të votave nga qytetarët, duke ia mundësuar kështu që së bashku me votat e garantuara të deputetëve të pakicave të formojë Qeverinë Kurti II.

Lidhur me këtë një vjetor të Qeverisë Kurti II, lajmi.net ka kontaktuar ish-kryeministrin e vendit, Isa Mustafa.

Mustafa me këtë rast ka deklaruar se këtë qeverisje do ta përshkruante si qeverisje pa orientim të qartë, nganjëherë edhe kaotike.

Sipas tij në mënyrë kaotike Qeveria Kurti e ka menaxhuar edhe pandeminë me COVID-19.

“Në mënyrë kaotike e ka menaxhuar Pandeminë, derisa ajo u stabilizua vet. Njëjtë e menaxhoi situatën me targat duke e lënë peng njësinë elite të policisë së Kosovës. Pastaj problemin e çmimit të energjisë dhe të çmimeve tjera”, deklaroi Mustafa.

Sipas tij kjo Qeveri është pa strategji edhe sa i përket dialogut, apo njërës prej çështjeve më të rëndësishme të vendit.

“Dialogun për njohje reciproke si zgjidhje përfundimtare atë e ka shndërruar në dialog teknik për targa. Dështoi të bëjë zgjidhje për gazsjellsin amerikan, si projekt strategjik. Ka tendenca të ndërhyjë më shumë se çdo qeveri tjetër në shtyllat tjera të shtetit, siç është ajo e drejtësisë. Ka treguar prirje për ndërtim të instrumente të pushtetit represiv në vend të kultivimit të qasjes zhvillimore dhe demokratike. Në fushën e zhvillimit ekonomik nuk është shënuar asnjë masë nxitëse apo program qeveritar”, tha Mustafa.

Sipas ish-liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, zhvillimin e diktoi diaspora dhe inflacioni pa krijuar kushte për punësim.

Madje sipas Mustafës në politikën e jashtme nuk ka rezultate, por ka vetëm largim të njerëzve nga puna.

Këtë Mustafa e lidhi pikërisht me vendimin e fundit të zv/kryeministre së vendit, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla e cila largoi 11 punonjës të diplomacisë kosovare nga puna.

“Zhvillimin e diktoi diaspora dhe inflacioni pa krijuar kushte për punësim. Në politikën e jashtme s’ka rezultate, ka vetëm largim të njerëzve nga puna.”, tha Isa Mustafa.

Sipas tij Qeveria Kurti II është qeveri e suksesshme në propagandë populiste, e që votat të cilat i kishte marrë dhe ato që do të mund t’i merrte nuk janë vota të punës që e bërë dhe të cilën e bënë, por se është çështje perceptimi.

“Është qeveri e suksesshme në propagandë populiste. Prandaj votat që i ka marrë dhe ato që do të mund ti merrte nuk janë vota të punës që e ka bërë dhe që e bënë, por është çështje perceptimi, sepse ashtu votojnë qytetarët tanë”, shtoi Mustafa.

I pyetur se sa vota do të mund të fitonte Lëvizja Vetëvendosje nëse zgjedhjet do ta mbaheshin në një afat të shkurtër kohorë nga tani, Mustafa theksoi se varet shumë nga opozita e cila sipas tij pak apo shumë është dorëzuar para numrave të pozitës dhe një pjese të opinionit për opozitarizëm të butë, e që pushteti po sillet me arrogancë të plotë.

“Sa do të fitonte VV në zgjedhje varet shumë edhe nga opozita e cila pak apo shumë është dorëzuar para numrave të pozitës dhe një pjese të opinionit për opozitarizëm të butë, kur pushteti po sillet me arrogancë të fortë”, përfundoi Mustafa.

Ndryshe Isa Mustafa dhe Albin Kurti kishin lidhur dikur një koalicion qeverisës.

Albin Kurti në vitin 2019 ishte zgjedhur kryeministër, por vetëm pas 50 ditësh në krye të Qeverisë së Kosovës ai me një mocion mosbesimi është rrëzuar nga partneri i atëhershëm qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje arriti që të rikthehej në qeverisje duke e rritur numrin e deputetëve në 58, nga 29 sa kishte në 2019.

E për punën një vjeçare të Kurtit shumë prej qytetarëve janë deklaruar se nuk është arritur për atë çfarë është pritur, apo më qartë premtuar nga vetë Kurti dhe kabineti i tij qeveritar.

E ngecjen më të madhe kjo qeverisje e pati pikërisht në kuadër të diplomacisë e shëndetësisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme