Mustafa: Situata në veri më e rëndë se sa para një jave – jemi shtet i vogël duhet t’i dëgjojmë të mëdhenjtë

Prishtinë | 07 Nën 2022 | 13:24 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka thënë se situata aktuale në Veri të vendit është më serioze sesa ao që ka qenë ditë më parë.

Mustafa ka deklaruar se bashkëpunimi i ngushtë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë një faktor kyç për Kosovën dhe stabilitetin e saj.

“Të gjitha proceset më të rëndësishme në Kosovë, që nga Rambueja e deri më tani i kemi kapërcyer duke bashkëpunuar ngushtë sidomos me SHBA-të. Prandaj, jo vetëm këtë fazë por edhe çdo sfidë në të ardhmen duhet ta bashkërendisim me Shtetet e Bashkuara.

“Nuk duhet të ndihemi keq se jemi shtet i vogël dhe t’ua kthejmë fjalën partnerëve tanë strategjik, sepse ata e dinë së paku sa ne sesa jemi sovran, kur akoma nuk e mbikëqyrim plotësisht një pjesë të territorit, kur për paqen kujdeset NATO-ja dhe është në fuqi Rezoluta 1244 e KS”, deklaroi Mustafa për Indeksonline.

Tutje, ish-lideri i LDK-së shtoi se shteti ynë është futur në grackën e Serbisë, duke vlerësuar se është e pamundur të zgjidhet situata në Veri pa bashkëpunim të plotë me Bashkimin Evropian dhe ShBA-në.

“Kosova është futur në grackën e Serbisë. Situata tani është tepër më e rëndë sesa para një jave. Është vështirë, për vlerësimin tim edhe e pamundur, që të zgjidhet problemi me komunat e veriut pa pashkëpunuar ngushtë me SHBA-të dhe BE-në. Prandaj do duhej të respektohen kërkesat për prolongim të masave për tabelat dhe të fokusohet në marrëveshjen gjithëpërfshirëse ( e cila i zgjidhë edhe tabelat)”, shtoi Mustafa.

Ai gjithashtu vlerësoi se realizimi i kërkesës së ndërkombëtarëve, lidhur me Asociacionin, është e ndrlikuar, pasi ka ndryshuar ambienti dhe momentumi.

“Kërkesa për Asociacionin tani është më e ndërlikuar, sepse ka ndryshuar ambienti dhe momentumi. Ndryshe do të ishte që të bisedohej për këtë temë pa presion politik e ndryshe më një kushtëzim të qartë serb dhe në një presion të madh dhe shumë konkret ndërkombëtar”, përfundoi Mustafa.

Të ngjashme