Mustafa: Veprimet ndaj qumështores Vita tregojnë qasjen armiqësore të Qeverisë ndaj sektorit privat

Prishtinë | 02 Kor 2026 | 19:53 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i rizgjedhur nga Partia Demokratike e Kosovës, Arben Mustafa, ka reaguar pas aksionit ndaj qumështores Vita, duke akuzuar Qeverinë se po zhvillon një politikë armiqësore ndaj sektorit privat dhe prodhuesve vendorë.

Në një postim në rrjetet sociale, Mustafa ka kritikuar edhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, duke e cilësuar atë si “inspektor”.

“‘Inspektori’ Armend Muja po i çon prodhuesit vendorë drejt mbylljes! Represioni i sotëm ndaj qumështores Vita tregon luftën që kjo qeveri po e zhvillon kundër sektorit privat dhe prodhuesve vendorë. E pastaj pyesim pse nuk ka investime në Kosovë”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka vlerësuar se klima aktuale nuk krijon kushte për investime vendore dhe të huaja.

“Nuk mund të ketë as investime vendore e as investime të huaja në një vend ku qeveria është armiqësore ndaj sektorit privat. Me këtë qasje, shihet qartë se qeveria e Albin Kurtit nuk synon zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për një jetë me dinjitet në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Sipas Mustafës, politikat aktuale po krijojnë një model ekonomik që i bën qytetarët më të varur nga shteti.

“Përkundrazi, po ndërton një model ekonomik ku qytetarët bëhen gjithnjë e më të varur nga ndihmat e qeverisë, në vend që të krijohen kushte për punë, prodhim dhe investime”, ka shtuar Mustafa.

Të ngjashme