Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim lamtumirës Ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang. Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e falënderoi për kontributin e saj për fuqizimin e raporteve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen konkrete të Zvicrës për Kosovën në shumë fusha, duke shprehur përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale.
“Zvicra është në vazhdimësi partner shumë i rëndësishëm evropian i Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, e falënderoi kryeministrin Mustafa për bashkëpunimin e ofruar nga Qeveria e Kosovës gjatë mandatit në Kosovë.
Ambasadorja Lang, po ashtu, vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe shprehu përkrahjen e mëtejme të Zvicrës për Kosovën.
Gjatë takimit, u diskutua edhe për progresin dhe proceset aktuale në Kosovë, si dhe hapat e Kosovës në zhvillimin ekonomik, proceset eurointegruese dhe fuqizimin e shtetit ligjor.