1 Maji i të papunëve

Prishtinë | 01 Maj 2017 | 13:33 | Nga

Mbi 140 mijë kosovarë do ta festojnë 1 Majin si të papunë. Prej tyre shumica janë të rinj. Sipas Agjencisë se Statistikave të Kosovës (ASK), janë mbi 100 mijë të rinj në Kosovë që janë krejtësisht të shkëputur nga tregu punës dhe pa asnjë të ardhme.

Pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të lartë të shtetit se janë hapur vende të reja pune, në Kosovë papunësia është rritur. Agjencia e Statistikave të Kosovës në anketën e fundit ka llogaritur se në vitin 2016 në Kosovë ka pasur 140,771 persona të moshës 15-64 vjeç, që ishin të papunë.

Në fakt, Kosova e kishte nisur vitin 2016 me 115 mijë e 93 persona të papunë. Ndërsa, viti 2016 është përmbyllur me 140 mijë e 771 persona të papunë. Shprehur në numra, në fund të vitit 2016 ishin 25 mijë e 678 persona më shumë të papunë se sa që ishin në fillim të vitit (janar-mars).

Kështu shkalla e papunësisë ishte 28.7 për qind, apo 140 mijë e 771 persona llogaritet se janë të papunë.

Kjo shifër e papunësisë është nga 41.3 për qind e popullsisë që konsiderohet se janë ekonomikisht aktivë.

“Nga popullsia në moshë pune, 58.7 për qind nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas ASK-së, “kemi rritje të shkallës së papunësisë me 1.2 për qind, ku kjo rritje te meshkujt ishte 0.9 për qind përderisa te femrat kemi rritje prej 2.0 për qind”.

Kosova e ka popullsinë kryesisht të moshës së re, por më shumë se gjysma e të rinjve kosovarë janë të papunë, kurse një pjesë e tyre nuk ndjekin shkollën e as nuk trajnohen.

Në këtë kategori, sipas Agjencisë se Statistikave të Kosovës, janë mbi 100 mijë të rinj në Kosovë që janë krejtësisht të shkëputur nga tregu punës si pasojë e mungesës se shkollimit, shkruan Gazeta Fjala.

Në Anketën e fundit të fuqisë punëtore, kjo agjenci alarmon se si pasojë e kësaj Kosova mund të këtë probleme të mëdha sociale në të ardhmen.

“30.5% e të papunëve në Kosovë ishin të rinj (të moshës 15-24 vjeç) me pothuajse 13 pikë diferencë midis meshkujve dhe femrave. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së re është e papunë (52.2%) dhe shkalla e papunësisë tek rinia e gjinisë femërore është më e lartë (64.9 %) krahasuar me meshkujt (47.0%)”, thuhet në anketë.

Sipas anketës, të rinjtë në Kosovë kanë dy herë më shumë gjasa të ishin të papunë në krahasim me të rriturit, me shifra pothuajse të ngjashme për meshkujt dhe femrat.
Të rrezikuar janë kryesisht të rinjtë joaktivë, pra që nuk janë të punësuar. Të kjo kategori të rinjtë nuk ndjekin shkollimin as nuk trajnohen, dhe janë krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës dhe nuk marrin pjesë as në sistemin arsimor, shkruan Gazeta Fjala.

Bëhet fjalë për 104 mijë e 315 të rinj të kësaj kategorie (të moshës 15 deri 24) të kësaj kategorie, të cilët nuk ndjekin shkollimin, nuk ishin të punësuar apo në trajnim dhe përbënin 29.7 për qind të popullsisë së re.

“Përqindjet e larta të këtij grupi në popullsinë e të rinjve rrisin shqetësimet në lidhje me punësimin e të rinjve në të ardhmen pasi tregon shkëputje nga tregu i punës. Përveç kësaj, një numër i madh i të rinjve të pa angazhuar në vendet me papunësi të lartë të të rinjve, siç është Kosova, mund të shkaktojë uljen e fitimeve për shkak të rritjes së konkurrencës, si dhe ka mundësi t’i kontribuojë problemeve sociale”, alarmon ASK.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme