301 raste marrin statusin e personit të dhunuar gjatë luftës, refuzohen 147

Prishtinë | 19 Mar 2019 | 11:17 | Nga Alban Begolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës ka aprovuar 301 raste, raporton Ekonomia Online.

Të dhënat e komisionit deri me datën 18 mars të këtij vitit, flasin për 147 refuzime për status, ku në proces janë 94 raste.

Këto shifra i ka bërë të ditura, kryetarja e Komisionit, Minire Beka, pas takimit me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica dhe ish presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Beka tha se 968 raste janë në pritje për trajtim.

“Ne u munduam për këtë vit me i paraqitë të gjitha sfidat. Me gjithë përkushtimin komisioni është duke e bërë më të mira. Procesi duhet të mbështetet nga të gjithë akterët. Ne si komision i adresuam problemet dhe presim të kemi mbështetje. Në nivel vendi janë 968 raste, të aprovuara janë 301 raste, të refuzuara 147 raste. 94 raste janë në shqyrtim. Total të shqyrtuara i kemi 542 raste, në pritje për trajtim janë 426 raste”, deklaroi ajo.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se do të jetë në përkrahje të komisionit. Sipas saj, duhet që sa më shpejtë të procedohen lëndët e tjera.

“Nga ana e kryetares u informuam në detaje për të gjitha rastet. Morën një pasqyrë për të gjitha lëndët, ankesat. Po ashtu, u informuam edhe me vështirësitë e punës me të cilat po ballafaqohen gjatë këtij viti. Është edhe kërkesa humane dhe njerëzore e gjithsecilit aplikant të njohjes së statusit sepse ne e dimë se çka ka ndodhur para 20 viteve në Kosovë. Është kërkesë që sa më shpejt të procedohen këto lëndë. U trajtuan të gjithë problemet edhe teknike edhe ato politike”, tha ajo.

Mbështetje për Komisionin dha edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica. Ai tha se është i njoftuar me vështirësitë që ka komisioni, por sipas tij, do të punohet intensivisht për zbardhjen e këtyre rasteve.

“U njoftuam për punën që është duke e bërë komisioni. Ky komision është duke punuar shumë në zbardhjen e asaj që ka ndodhur gjatë luftës. E dimë se komisioni ka shumë vështirësi, por shprehi mirënjohje për punën që po e bëjnë. U zotova edhe para tyre se si qeveri do të jemi pranë tyre në mënyrë që të përmbyllet ky rast që të nxjerrët në dritë atë që kanë bërë serbët”, tha Reçica, raporton Ekonomia Online.

Këto deklarime u bënë në një konferencë për media, pas takimit pa praninë e medieve që patën, Reçica dhe Jahjaga me anëtarët e këtij komisioni.

Të ngjashme