Ahmeti dhe Lahaj shpalosin detaje rreth koncertit që pritet të mbahet të enjten në Prishtinë

Prishtinë | 31 Kor 2019 | 11:15 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe tenori Ramë Lahaj kanë mbajtur konferencë për medie, para mbajtjes së koncertit me tenorin e njohur, raporton Ekonomia Online.  

Ahmeti tha se interesimi i njerëzve për ta parë Ramë Lahajn të performojë është shumë i madh.

“Pas një koncerti të suksesshëm me Filharmominë e Kosovës në kuadër të aktiviteteve 20/20, kemi vendosur që gjatë këtyre ditëve të diasporës kur ka edhe më shumë njerëz, që publikut të Prishtinës dhe Kosovës t’i ofrojmë edhe një eveniment fantastik, me këtë rast artistin tonë të mirënjohur Ramë Lahaj ku ai me miq do performojë në sheshin tonë. Po më pyesin për bileta, por s’ka bileta, është falas. Interesimi është tepër i madh. Do ta kemi një natë goxha të mirë, për të mos thënë të paharrueshme”, tha Ahmeti.

Tenori Ramë Lahaj tha se e ka ndjerë borxh të performojë në një koncert të tillë në Prishtinë.

“Unë kam qenë në Prishtinë vitin e kaluar në koncertin e zonjës Apostolova dhe kam pa që Prishtinës ia kam borxh një koncert të madh dhe kështu mu plotësua edhe mua dëshira sepse e kam ndje sikur ia kam borxh Prishtinës një koncert. E bukura e kësaj është me ecë edhe në shesh dhe me pa që Prishtina po zhvillohet, po rritet”, tha Lahaj, raporton EO.

Duke qenë se në Kosovë nuk është shumë i zhvilluar ky zhanër muzikor, Lahaj tha se ka bërë laramani të këngëve për tiu përshtatur audiencës kosovare.

“Kam provuar me bë një laramani në koncert duke pasë parasysh se audienca jonë është relativisht e re në këtë muzikë pasi nuk kemi një sallë të mirëfilltë koncertesh. Kam provuar me t’i përzgjedh disa vepra më popullore, më të përshtatshme për audiencën në shesh”, tha ai.

Lahaj tha se në Kosovë po mungon një sallë e mirëfilltë për muzikën klasike.

“Na duhet një sallë sepse është e patolerueshme salla ku mbahen koncertet e Filharmonisë”, tha ai, raporton EO.

Dirigjenti David Crescenzi, tha se shpreson që të sjellin entuziazëm tek publiku.

“Jam shumë krenar që jam këtu sepse me Ramën jemi miq dhe kolegë. Kur më bëri ftesën pranova menjëherë. Pash dje gjatë provave një entuziazëm të madh nga njerëzit. Mendoj se mund t’ua japim të njëjtin entuziazëm audiencës”, tha ai.

Koncerti Ramë Lahaj and Friends’ do të mbahet nesër, më 1 gusht në orën 20:30, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë.

Të ngjashme