Avokati i Popullit: ZRrE shkeli të drejtat e qytetarëve, Qeveria të kompensoj pagesat e rritura të rrymës

Prishtinë | 14 Pri 2022 | 11:46 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në një intervistë për gazetën Nacionale ka thënë se vendimet e Gjykatave duhet të zbatohen. Kjo pas pezullimit të vendimit për shtrenjtimin e rrymës nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Qelaj ka theksuar se nëse Gjykata Themelore e anulon vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, atëherë qytetarët duhet të rimbursohen për muajt që kanë paguar tarifa më të larta për energjinë elektrike.

“Vendimi i Gjykatës për energjinë mund të them se ka qenë vendim i pritur nga ana jonë. Prej momentit kur ZRrE-ja ka marrë vendimin në fjalë, ne kemi filluar një hulumtim të mirëfilltë të krejt aspekteve që lidhen me cenimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të Kosovës me anë të këtij vendimi, dhe besoj që javën tjetër do të dalim me një opinion që do të jetë qëndrim zyrtar i Avokatit të Popullit me gjetjet që kemi gjetur gjatë këtij hulumtimim dhe me konstatime dhe rekomandime se si duhet ta kalojmë këtë situatë.”, ka thënë Qelaj.

Avokati i Popullit ka sqaruar se në shikim të parë vendimi duket të ketë probleme të natyrës së barazisë së qytetarëve para ligjit sepse vetë vendosja e bllok-tarifave për neve paraqet një shqetësim, ngase askund nuk e kemi parë të rregulluar me legjislacion të qartë se është rregulluar kjo e drejtë e ZRrE-së në këtë rast me vendosë një tarifë të tillë, edhe përkundër faktit se një gjë e tillë ka ekzistuar, mesa duket edhe atëherë ka qenë mungesë të bazës ligjore.

“Ne e kemi trajtuar nga aspekti i diskriminimit dhe përballueshmërisë së çmimit të rritur të energjisë, përballë gjendjes sociale që ndodhen qytetarët e Kosovës, dhe për krejt këto, sqarimet do t’i keni në raport shumë shpejt. Ne kemi bërë një analizë krahasimore edhe me vendet e tjera si është e rrregulluar kjo çështje. Kemi analizuar me shumë kujdes çdo kategori të tarifave të përcaktuara në këtë vendim, kemi parë se ka probleme tjera që ndërlidhen me tarifat për shfrytëzuesit e energjisë elektrike pa njehësorë që për neve paraqet një shqetësim, dhe njëfarë mënyre legjitimon veprimet e kundërligjshme për qytetarët që në forma abuzive shfrytëzojnë energjinë elektrike. Është në trajtim jo të barabartë me pjesën tjetër të qytetarëve që ballafaqohen me ligjin, me akuza për vepra penale kur hasen duke shfrytëzuar energjinë elektrike pa njehësorë., ka thënë ai.

Më tej, avokati i popullit ka thënë se megjithëse nëse anulohet përfundimisht vendimi dhe konsiderohet i kundërligjshëm, pa dyshim se duhet me i kompensu qytetarët për këtë periudhë sa janë faturu me tarifa të reja.

“Ne kemi pasë edhe një praktikë tjetër gjyqësore në fakt me mosfaturimin e rrymës në veri, ku shpenzimet e krijuara në këtë pjesë të Kosovës u janë faturuar konsumatorëve të tjerë pa njoftim, pa pëlqim dhe për neve kjo ka paraqet veprim të kundërligjshëm dhe diskriminues në të njëjtën kohë. Vendimi është anuluar dhe kjo pastaj ka vendosë që konsumatorëve që për periudhën që ne kemi bërë kërkesë, t’u kthehen ato mjete që janë faturuar në emë të energjisë elektrike. Besoj që e njëjta situatë do të ndodhë edhe tek vendimi i tanishëm nëse Gjykata vendos që me aprovu atë kërkesë dhe vendimin me konsideru të kundërligjshëm.”, ka thënë Qelaj.

Të ngjashme