Avokati i Popullit: Nxënësit ankohen për dhunë psikike

Prishtinë | 15 Nën 2016 | 14:31 | Nga

Avokati i Popullit ka dhënë opinionin e tij lidhur me përdorimin i dhunës ndaj fëmijëve, si dhe shtimin e shpërfaqjes së rasteve, kur kjo dhunë ushtrohet dhe nga edukatorë e mësues, që janë të thirrur të zbatojnë norma pedagogjike dhe sjellje të kujdesshme me fëmijët.

Avokati i Popullit nëpërmjet një opinioni, ka dhënë edhe disa rekomandime për Ministrinë e Arsimit, Shëndetësisë, si dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Gjatë takimeve të drejtpërdrejta që përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) kanë realizuar me fëmijë të shkollave të mesme të ulëta dhe të mesme të larta, nëpërmjet bashkëbisedimit lidhur me shqetësimet e tyre, jo vetëm brenda ambienteve shkollore, por edhe në familje apo gjetiu, shumica e kanë vënë theksin tek dhuna psikologjike, fizike, por edhe ngacmimet seksuale, të cilat IAP i ka hetuar, trajtuar dhe adresuar te institucionet përkatëse”.

“Gjithashtu, sipas detyrës zyrtare, IAP ka filluar hetimet lidhur me veprimet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge (fëmijët që kërkojnë lëmoshë, pastrojnë xhamat e veturave, shesin gjësende të ndryshme etj.), e të cilët përballen  drejtpërdrejtë me rrezikun për abuzim”.

“Dhuna ndaj fëmijëve është jashtëzakonisht komplekse dhe me pasoja të rënda psiko-sociale, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve dhe me pasoja edhe në moshën e rritur. Dhuna mund të shfaqet si abuzim fizik, emocional/psikologjik, trajtim neglizhent, shfrytëzim seksual, apo tjetër dhe ka si rezultat dëmtimin e shëndetit të fëmijës”, thuhet në opinionin e Avokatit të Popullit.

Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna mbetet sfidë e shtetit dhe shoqërisë, e cila kërkon koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë të profesionistëve dhe institucioneve gjegjëse, tek të cilat janë drejtuar, përmes këtij opinioni, edhe rekomandimet përkatëse:

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të bëjë fushata të informimit publik për të rritur ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e shoqërisë për pasojat e abuzimit ndaj fëmijëve, si dhe të promovoj në vazhdimësi metoda jo të dhunshme të edukimit dhe disiplinës; të angazhoj psikologë dhe pedagogë në të gjitha shkollat, për mbështetje dhe ndihmë të fëmijëve; të krijohen sisteme të përshtatshme për fëmijët, që të mund të raportojnë dhunën dhe të informohen për mekanizmat ku mund t`i drejtojnë ankesat; të bëhet ngritja e kapaciteteve të punonjësve arsimor, lidhur me pasojat e dhunës ndaj fëmijëve, si dhe rëndësinë e identifikimit dhe referimit me kohë të këtyre rasteve, tek autoritetet përgjegjëse.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, respektivisht Qendrat për Punë Sociale, si dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme: në pajtim me kompetencat dhe autorizimet ligjore dhe në bashkëpunim me të gjitha autoritetet tjera përgjegjëse, të ndërmarrin veprimet përkatëse për mbrojtjen dhe ndihmën e fëmijëve në nevojë, në veçanti, fëmijëve të cilët punojnë punë që rrezikojnë shëndetin e tyre, fëmijëve që mbledhin gjësende nëpër kontejnerë, fëmijëve që shesin gjësende në rrugë dhe kafene, fëmijëve që kërkojnë lëmoshë dhe të cilët mund jenë viktima potenciale të formave të ndryshme të abuzimit.

Ministria e Shëndetësisë: të zhvillojë programe trajnimi për personelin në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, lidhur me rëndësinë e identifikimit dhe raportimit me kohë të rasteve të abuzimit ndaj fëmijëve, si dhe pasojave ligjore që mund t’i bartin personeli shëndetësor në raste të mos raportimit; të shtojë numrin e shërbimeve të shëndetit mendor për fëmijë dhe adoleshentë në Kosovë dhe t’i fuqizojë me programe intervenuese për përmbushjen e nevojave zhvillimore, si dhe për identifikimin dhe trajtimin e hershëm të rasteve në rrezik për çrregullime psikiatrike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme