BIK-u do të formojë komision hetues për mishin e prishur të kurbanit

Prishtinë | 29 Gus 2019 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka marrë vendim për krijimin e një komisioni hetues që do të gjejë arsyet e prishjes së mishit të kurbanit në festën e fundit të Bajramit.

Kryesia e BIKU-ut këtë vendim e morën pas një takimi në të cilin u shqyrtua gjendja e krijuar pas prishjes së një sasie të mishit të kurbanit në thertoren në Istog.

“Kryesia e BIK pasi dëgjoi raportin e Komisionit të Kurbanit për ecurinë e aksionit të therjes së kurbaneve gjatë ditëve të Kurban Bajramit, pastaj për hapat që kanë marrë pas shfaqjes së dyshimit për cilësinë e mishit, mori vendim që të formojë një komision hetues, i cili do të zbardh rrethanat dhe shkaqet që çuan në prishjen e mishit. Komisioni ka për detyrë që në afat prej një muaji të shqyrtojë dhe të analizojë të gjitha rrethanat dhe në bazë të të gjeturave të përgatitë raport, në bazë të së cilit Kryesia do të ndërmarrë masat e duhura”, thuhet në komunikatë.

Kryesia e BIK-ut në këtë mbledhje tha se do të jetë e përkushtuar në realizimin e plotë të kërkesave të besimtarëve dhe kërkoi falje për këtë.

“Kryesia e BIK kërkon ndjesë nga besimtarët tanë të devotshëm, të cilëve u rikujtojmë edhe njëherë se nijeti i tyre për kurban është realizuar plotësisht. Kryesia e BIK i kërkon ndjesë e falje edhe kategorive sociale si përfituese të drejtpërdrejta të mishit të kurbanit si palë e dëmtuar”.

Ata premtuan se në të ardhmen do t’i marrin të gjitha masat e duhura që raste të tilla të mos ndodhin.

“Njoftojmë opinionin edhe njëherë se ka arritur një kontingjent i mishit të kurbanit që është therur në Hungari dhe se i njëjti do t’u shpërndahet nevojtarëve në ditët në vijim. Mishi i ardhur nga Hungaria është i sigurt dhe i cilësisë shumë të mirë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme