Fehmi Lladrovci u vra 4 muaj pas intervistës ku tha se “Liria është më e shtrenjtë se vetë jetë”

Prishtinë | 17 Nën 2020 | 21:09 | Nga Ekonomia Online

Nëse do t’i kërkohej të vdiste për atdhe, do ta bënte me dëshirën më të madhe. Kështu i tha Fehmi Lladrovci BBC’së në një intervistë nga malet ku po luftonte. Katër muaj më vonë “iu realizua dëshira”.  Në shtatorin e 98-ës, ra dëshmor.

Është një intervistë në BBC, që kohë pas kohe rikthehet në vëmendje, ku Fehmi Lladrovci flet nga malet për televizionin britanik. Konsiderohet të jetë përkufizimi i luftës së UCK’së në një deklaratë të një luftëtarit.

Fehmi Lladrovci, gjatë luftës deklaronte para gazetarit të BBC’së se do të vdiste me dëshirën më të madhe për çlirimin e Kosovës. Nuk vonoi gjatë dhe Fehmiut iu realizua ëndrra. Ra heroikisht gjatë një beteje, e më pas Kosova u çlirua.

Heroi Fehmi Lladrovci do të binte dëshmor vetëm katër muaj pas realizimit të kësaj interviste ku deklaronte se vdekja për atdhe do të ishte fati më i madh i tij.

Për të vdekur në liri, Lladrovci e kishte përmendur edhe më parë. “Ku ka ditë më të mirë se sot për të vdekur për atdhe. Mos u frikësoni, kush e ka dekën ka për të rënë në altarin e Lirisë. Kemi për të bërë luftë, që do të futet në analet e historisë”, thoshte Lladrovci.

Në një intervistë për BBC’në realizuar në majin e vitit 1998, Lladrovci shprehte të gjithë filozofinë e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës; luftohej për të mbrojtur popullatën civile, të cilën regjimi serb nuk e kursente nga masakrat. Serbia pretendonte se UÇK’ja është organizatë terroriste, ndërsa Lladrovci argumentonte të kundërtën.

“Le të argumentojnë serbët vetëm një akt të terrorizmit të ushtruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ndërsa ne mund t’i numërojmë mijëra raste të terrorit të bërë nga falangat serbe mbi popullatën e pambrojtur shqiptare. Le të tregojnë ata vetëm një njeri të pafajshëm , i cili është vrarë nga UÇK-ja, një njeri të paarmatosur, një fëmijë apo një grua, kudoqofshin ata në territorin e Kosovës. Armët nuk i kemi marrë në dorë për të luftuar kundër popullatës serbe që jeton në Kosovë. Ato i morëm kundër regjimit serb dhe kundër forcave policore dhe ushtarake serbe që janë në Kosovë”, thoshte Lladrovci.

E në një pyetje të cilën ia bën gazetari i BBC’së se a do të vdiste për Kosovë, Lladrovci thotë se këtë do ta bënte me dëshirën më të madhe dhe se ky do të ishte fati më i madh i jetës së tij.

“Gjithqysh, edhe me dëshirën më të madhe. Ma e shtrenjtë është liria se jeta. Të gjithë ushtarët e UÇK’së janë të vetëdijshëm se pushkën e kanë marrë me vdekë për lirinë e Kosovës. Ky do të ishte fati më i madh i jetës”, thoshte heroi Fehmi Lladrovci.

Të ngjashme