Furnizimi i Serbisë me armë konsiderohet rrezik për Ballkanin, kërkohet ndërhyrja e ShBA-së e BE-së

Prishtinë | 16 Jan 2022 | 08:06 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për shumë vjet, Serbia ka vazhduar të furnizohet me armë luftarake nga Rusia, ndonëse kjo gjë ishte paralajmëruar se do të ndërpritet, raporton Ekonomia Online.

E furnizimi i Serbisë me armatim, po konsiderohet si i rrezikshëm për Ballkanin nga njohësit e çështjeve të sigurisë në vend, teksa thonë se kësaj çështjeje po i ndihmon edhe Kina.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë për Ekonomia Online, se Serbia çdo herë po armatoset, teksa shton se demonstrimi i njësitit 74, me armë të ndryshme, mund të jetë rrezik edhe për KFOR-in.

“Unë vazhdimisht kam cek armatosjen e armëve. Serbia këtë e shfrytëzon, Vuçiqi, por edhe Presidenti apo kryetari i Republika Serbske në Bosnje dhe Hercegovinë duke u armatosur. Ata kanë proklamuar qysh herët në 2006-ën neutralitetin duke qenë pjesë edhe e NATO-s pjesërisht por edhe e Rusisë ata po armatosën gjithëmbarshëm”.

“Edhe nga vendet perëndimore edhe vendet e rajonit por edhe nga Rusia, Kina, Turqia, Bjellorusia. Kështu që ata kanë arritur ta kalojnë edhe 2 për qind e bruto-produktit vendor, edhe armatosja e tyre po vazhdon, tash së fundmi pas Vitit të Ri ishte edhe një prezantim gjegjësisht një demonstrim i njësitit 74 i veprimeve speciale të ushtrisë serbe dhe aty u demonstrua edhe një armatim kinse ‘vrasësi i tankeve’ që koronet quhet prodhim Rus. Kjo rrezikon praninë ndërkombëtare ushtarake KFOR-in”, u shpreh ai.

Teksa ka folur për këtë çështje, Ibishi thotë se kërcënimet e tilla duhet të adresohen në Bashkimin Evropian, por edhe në instanca më të larta, si OKB e ShBA.

“Ne duhet t’i adresojmë këto kërcënime nëpërmjet Bashkimit Evropian, por edhe Kombeve të Bashkuara dhe ShBA-së me qëllim që ata të reagojnë për shkak të një debalanci rajonal. Kur është në pyetje Kosova për armatosjen apo pajisjen më të vogël ngrihen çështje prej më të ndryshmeve. Ndërsa Serbia shfrytëzon neutralitetin ndaj NATO-së dhe Rusisë dhe ajo armatoset nga të gjitha shtetet. Institucionet duhet të veprojnë sipas dispozitave ligjore”, ka thënë ai. 

Ndërsa dështimi i anëtarësimit në organizata të ndryshme, Ibishi e sheh si dështim i të gjitha legjislaturave. Për këtë ai kërkon strategji dhe mbështetje të partnerëve strategjik.

Kurse njohësi i sigurisë, Avni Islami, për EO thotë se thotë se kjo po bëhet për shkak se influenca e Rusisë dhe e Kinës është duke tentuar të bëhet përmes Serbisë.

Pozitive Islami e sheh gatishmërinë e bashkësisë ndërkombëtare së bashku me aleancën veri-atlantike, për të cilat thotë se janë duke e monitoruar Ballkanin si vatër e rrezikshme, konkretisht Serbinë.

“Është interesant të theksohet se Serbia është duke u armatosur me të madhe, dhe duke përkrahur armatimin e Serbisë Rusia dhe Kina. Kjo po bëhet për shkak se influenca e Rusisë dhe e Kinës është duke tentuar të bëhet përmes Serbisë. Serbia pra konsiderohet satelit i atyre dy shteteve në mënyrë që të bëhet balancimi, në rajonin e Ballkanit dhe në Evropë. Për fat të mirë mendoj se bashkësia ndërkombëtare së bashku me aleancën veri-atlantike janë duke e monitoruar rajonin e Ballkanit si vatër e rrezikshme e ma konkretisht Serbinë e cila ajo vet përbënë më tepër armatim se 90 për qind të vendeve të Ballkanit, duke përjashtuar Kroacinë”.

“Kësisoj ajo paraqet rrezik po t’i jepet mundësia, sepse përndryshe duke filluar nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe vendet e tjera për rreth janë të stacionuara forcat e KFOR-it dhe për këtë arsye nuk mendojë që paraqet rrezik për rajonet e Ballkanit mirëpo nuk përjashtohet edhe mundësia e një aventure të rrezikshme të cilën mund ta bëjë Qeveria e Vuçiqit e cila nuk dallon nga Qeveria e Milloshoviqit është i njëjti regjim vetëm e ka ndërruar formën dhe mënyrën dhe qasjen ndaj vendeve fqinje siç është Kosova me Maqedonia, Mali i Zi e të tjera”.

Hap të rëndësishëm, Islami e sheh ndarjen e miliona eurove nga Kosova për forcimin dhe modernizimin e ushtrisë, teksa ka thënë se është skeptik nëse Serbia mund të ndërmarrë ndonjë veprim të dëmshëm në Kosovë apo vende e tjera.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kemi parë vitin që shkoj që kanë ndarë mjete të konsiderueshme për forcimin dhe modernizimin e ushtrisë së Kosovës, e cila pretendon që në të ardhmen të jetë pjesë e Aleancës Veri-atlantike. Pra Institucionet e Kosovës janë në rrugë të mbarë që në të ardhmen ta forcojnë ushtrinë e Kosovës në mënyrë që të jetë e zonja të mbrohet vetë ose bashkë me aleatët tanë. Duke pasur parasysh që vendi ynë e ka si aspiratë të jetë pjesë e Aleancës Veriatlantike ku dihet që aleancë është “një për të gjithë dhe të gjithë për një”, kështu që unë mendojë se Serbia nuk besojë që do të ndërmarrë ndonjë aventurë të rrezikshme që të ndërmarrë ndonjë veprim qoftë në Kosovë edhe në vende të tjera”, u shpreh ai.

“Kemi pasur rastin kur Kosova disa herë ka aplikuar në organizatën më të madhe të Interpolit dhe nuk i ka arritur numrat e nevojshëm. Mendojë që Kosova ka ende punë për të bërë që njihet në më shumë shtete, në mënyrë që edhe ato shtetet skeptike t’i bindë që Kosova është shtet dhe Policia e Kosovës luan një rolë të rëndësishëm për parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, me trafikimin me qenie njerëzore, drogë e të tjera. Pas që në të ardhmen Policia e Kosovës të jetë pjesë e kësaj organizate dhe organizatave të tjera”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme