Hoti: 2019-ta është viti i nxënësit

Prishtinë | 15 Jan 2019 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, priti sot në takim pune Kryesinë e Kolegjiumit të Drejtorëve Komunalë të Arsimit, ku u diskutua draft-plani i punës së Zyrës së Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport.

Koordinatori Hoti fillimisht foli për Programin Nacional për Rininë dhe për hapat që janë marrë deri tani për realizimin e tij. Ai tha se shumë shpejt do të fillojë implementimi i programit në të gjitha shkollat e vendit.

“Programi Nacional për Rininë është i projektuar për të gjithë nxënësit dhe studentët e Republikës së Kosovës prandaj ju garantoj se viti 2019 është viti i nxënësit. Programi është mbështetur nga komunat, me shumicën e të cilave tashmë kemi nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e tij. Ju si kolegjium jeni akterë shumë të rëndësishëm për bashkëpunim andaj, në këtë fazë kur jemi në prag të nisjes së garës, ju  falënderoj për mbështetjen e dhënë”, tha Hoti.

Drejtori i Kolegjiumit të DKA-ve, Besim Avdimetaj theksoi mbështetjen për Programin Nacional për Rininë. “Ne që nga fillimi e kemi mirëpritur programin dhe po presim me padurim që të fillojë të implementohet dhe shpresojmë se aktivitetet do të zbatohen në të gjitha nivelet e parapara. Është një program i nevojshëm për nxënësit dhe besoj se do t’i motivojë ata për mësim”, u shpreh Avdimetaj.

Në takim morën pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Leonora Morina-Bunjaku.

Koordinatori Hoti dhe kryesia e kolegjiumit u pajtuan që të intensifikojnë takimet me drejtorët e DKA-ve si dhe të zhvillojnë takime me të gjithë drejtorët e shkollave nëpër komuna.

Programi Nacional për Rininë ka shtyllë kryesore garën që do të zhvillohet për të gjithë nxënësit dhe studentënt në fushën e diturisë, sportit, kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme