IKD: Prokuroria po mundohet të mbulojë rastin e vrasjes së Sebahate Sopit

Prishtinë | 17 Mar 2021 | 12:44 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), ka thënë se vrasja e Sebahate  Sopit ka ndodhur për shkak të mosveprimit të institucioneve të shtetit, përkatësisht prokurorisë.

Në konferencën për medie ku u publikua raporti  “Shteti me mosveprim privoi nga jeta Sebahate Sopin”, tha se Prokuroria po mundohet ta mbulojë këtë rast.

Ehat Miftaraj nga IKD-ja tha se Sebahate Sopi është viktimë e shtetit të Kosovës.

“Republika e Kosovës edhe njëherë dështoi në mbrojtjen e Sebahate Sopit, në bazë të ekspertizës është viktimë e shtetit të Kosovës. Pozita e prokurorit nuk është privilegj, por është përgjegjësi para Kushtetutës dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

“Sebahate Sopi ka qenë viktimë e dhunës në vitin 2019-të, si rezultat i kësaj kishte një urdhër mbrojtje të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, i cili urdhër-mbrojtje kishte skaduar në fund të vitit 2020. Më 3 mars, vajza e Sebahate Sopit, e kishte raportuar dhunën në familje ndaj nënës së saj nga babai i saj, e që prokurori i shtetit vetëm me një intervistim të zonjës Sopi, kishte mjaftuar që të mos marrë veprime shtesë për t’i siguruar të njëjës mbrojtje dhe siguri…Një veprim i tillë që Prokuroria më 4 mars të mos ndërmarrë veprime shtesë për t’u siguruar nëse e njëjta ka mbrojtje ka ndikuar që më 14 mars të këtij viti fatkeqësisht dy jetë të shuhen. E në këtë rast kemi viktimën Sebahate Sopi, që përmes analizës që kemi bërë përveç që është viktimë e bashkëshortit të saj, është viktimë e shtetit të Kosovës”,

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës tha se mbrojta e grave dhe këtyre viktimave duhet të bëhet nga institucionet përkatëse.

“Do të donim që mbrojtja  e grave të bëhet nga ata që duhet të na mbrojnë, dhe tashmë nuk është habi për këto raste ku gratë raportojnë për dhunën e tyre në familje”, tha Berisha.

Ajo theksoi që shpreson shume që kjo të jetë vrasja dhe dhuna e fundit që po u bëhet grave.

“Le të shpresojmë qe ky të jetë rasti i fundit që na ka bërë bashkë këtu, dhe të mos tolerohet vrasja dhe dhuna e grave”, përfundoi ajo.

Gëzim Shala nga IKD-ja  tha se vrasjen Sopa i ka paraprirë dështimi i institucioneve.

“Vrasjes së të ndjerës Sopi i ka paraprirë dështimi i Institucioneve, dhe tashmë edhe vet institucionet dhe prokuroria që po mundohen ta mbulojnë këtë rast, bazuar në komunikatën e Prokurorisë në fjalë. Bëhet fjalë për një dhunë sistematike, dhe përkundër kësaj prokuroria nuk ka marrë as edhe një hap kundrejt kësaj dhe të parandalohet një vrasje”, theksoi tutje ai.

Të ngjashme