Ish-sekretari dhe këshilltari i MIE-s, përgjegjës për ERA, tash kritikojnë për dështim

Prishtinë | 01 Dhj 2018 | 11:47 | Nga Ekonomia Online

Kohën e fundit, Instituti EPIK, me dy profile të njohura për opinion, njëri Demush Shasha – ish-sekretar i Ministrisë së Integrimit Evropian për 8 vjet dhe tjetri Taulant Kryeziu, ish-këshilltar për Integrime Evropiane, po japin opinione rreth integrimeve evropiane duke hedhur çdo ditë akuza për Ministrinë ku kanë punuar dhe ndaj Qeverisë.

Gjatë kohës sa kanë gëzuar privilegjet e shtetit, Shasha e Kryeziu kanë folur vetëm për sukseset e Qeverisë dhe Ministrisë së Integrimeve Evropiane, por prej që janë larguar nga puna, ata kanë themeluar së bashku Institutin EPIK nëpërmjet të cilit po paraqesin raporte e kritika negative për procesin e liberalizimit të vizave.

Lidhjet e ish sekretarit me ish këshilltarin në Ministrinë e Integrimeve kanë qenë të ngushta edhe kur kanë punuar së bashku në këtë ministri, ndërsa kjo konfirmohet edhe nga ajo se ish sekretari Shasha ia ka punësuar Taulant Kryeziut edhe gruan, sa ai ishte i plotfuqishëm në ministri, tash, bashkëthemelues të institutit, shkruan FaktePlus.

Dy ish-institucionalistët, tani nën petkun e OJQ-së së tyre po paraqesin opinione e akuza për Ministrinë ku kanë qenë pikërisht përgjegjës deri në korrik 2018, për realizimin e detyrave që kanë të bëjnë me realizimin e reformave për ligjet e Agjendës Evropiane të Reformave (ERA).

Madje mësohet se pikërisht një nga arsyet e largimit të ish-sekretarit Shasha ka qenë zhagitja e projekteve me qëllim të dështimit të punëve për të cilat tani si OJQ-ist merr projekte. (FaktePlus)

Të ngjashme