Kompleksi Memorial i Dëshmorëve në Marinë inaugurohet të premten

Prishtinë | 02 Tet 2018 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, njëherësh edhe kryetar i Këshillit Organizativ Qeveritar për zhvarrimin dhe rivarrimin e dëshmorëve të ish – Zonës Operative të Drenicës të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë, mbajti sot, në ambientet e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës një konferencë për gazetarë, ku foli mbi procesin e gjithmbarshëm të punës dhe aktivitetet e Këshillit Organizativ që nga themelimi e deri më sot, për suksesin, sfidat dhe përfundimin e misionit kaq fisnik të këtij Këshilli, transmeton Ekonomia Online.

Me këtë rast, ministri Berisha tha se procesi i zhvarrimit të dëshmorëve ka filluar më datë 19 qershor dhe ka përfunduar më datë 31 korrik të këtij viti. Në fazën e parë deklaroi ministri Berisha, janë zhvarrosur nga varrezat e Polacit (Skenderaj) gjithsej 112 mbetje mortore të dëshmorëve dhe prej tyre 101  janë rivarrosur në Marinë, ndërsa në Vushtrri janë rivarrosur dy, në Landovicë dy, në Kleçkë një, pesë në Shtime dhe një në Ferizaj.

Në fazën e dytë, shtoi ministri Rrustem Berisha janë zhvarrosur trupat e 53 dëshmorëve nga fshatrat e Drenasit dhe Skenderajt dhe janë rivarrosur në Kompleksin Memorial në Marinë, ndërsa dëshmorët: Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha do të rivarrosen në ditën e inaugurimit të Kompleksit Memorial në Marinë më 5 tetor 2018.

Ministri Berisha foli edhe për rolin dhe angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë proces.

“Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbështetur procesin që nga fillimi me personel dhe pajisje teknike. Togu Ceremonial i FSK-së ka përcjellë dhe rivarrosur me ceremoni ushtarake të gjithë arkivolet me trupat e dëshmorëve të UÇK-së nga ish-Zona Operative e Drenicës në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë”.

Këshilli Organizativ për Zhvarrimin dhe Rivarrimin e Dëshmorëve të Ish-Zonës Operative të Drenicës është themeluar me vendim të Kryeministrit Ramush Haradinaj më datë 8 maj 2018.

Në përbërjen e Këshillit ishin komunat: Skenderaj dhe Drenas, Zyra e kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, Instituti Kombëtar i Mjekësisë Ligjore, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme