Krasniqi: Sulmi ndaj Jasharajve, dëshmi e formimit të UÇK-së

Prishtinë | 22 Jan 2020 | 15:51 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

22-vjetorin e sulmit të dytë të forcave të Serbisë ndaj familjes Jashari në Prekaz, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, e konsideron se ishte dëshmia më e mirë drejt formimit të UÇK-së.

Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se sulmi i ushtrisë serbe është bërë duke ia ditur rolin e familjes Jashari.

Duke mosarritur ta realizojnë planin e tyre, ushtria serbe niset drejt Likoshanit dhe Qirezit, duke shkaktuar një ndër masakrat më të mëdha në vend.

“Shteti i Serbisë, pushtuesi i Kosovës e ka ditë shumë mirë rolin e familjes Jashari në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj ka ndërmarrë sulmin e 22 janarit. Për fat mirë, familja Jashari ka qenë e përgatitur për t’i bërë ballë dhe ka rezistuar”.

“Ka pasur të plagosur dhe rezistenca që i ka bërë familja Jashari, ka detyruar atë grup të specializuar të ushtrisë serbe të largohen pa arrit qëllimin e tyre. Dhe kjo ishte një dëshmi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare po hynte në një fazë të re dhe pastaj gjithë e dimë se pas atij aksioni ka qenë lufta që është zhvilluar në Likoshan dhe Qirez dhe krimin që kanë bërë policia dhe ushtria serbe në familjet shqiptare dhe ende pa përfunduar e pamja e viktimave të atij sulmi, bëhet sulmi tjetër i datës 5, 6 dhe 7 mars në familjen Jashari, që në fakt kjo është ngjarja më e dhimbshme dhe më e lavdishmja e UÇK-së”, ka thënë Krasniqi.

Sulmi i parë dhe i dytë mbi familjen Jashari, sipas Krasniqit, ishte paralajmërim i Serbisë që ta frikësojë Kosovën, në mënyrë që ta realizoj planin e saj.

“Realisht ka qenë një paralajmërim se Serbia e kishte seriozisht për të penguar çdo rezistencë të kombit shqiptar dhe e kishte për qëllim që ta frikësoj kombin shqiptar, që ai të heshte dhe Serbia ta realizonte planin e vet. Por rezistenca që u bë nga familja Jashari dhe nga pjesëtarët tjerë të UÇK-së, realisht ndikoi pozitivisht se qytetarët e Kosovës se jo vetëm që nuk i frikësuan por u mobilizuan për një luftë më të madhe”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se në kohën kur ka ndodhur sulmi në familjen Jashari ka qenë në fshatin e tij të lindjes në Negroc.

Ka thënë se është njohur me familjen Jashari, duke shtuar se pa këto veprime nuk do të kishte mobilizim të qytetarëve për t’iu bashkuar UÇK-së.

“Unë kam qenë në Drenicë në fshatin tim, Negroc. Kam pas raporte të mira edhe pas kësaj ngjarje por edhe menjëherë pas saj, unë kam qenë në familjen Jashari dhe i kam njohur të gjithë. Këto zhvillime i kemi parë si domosdoshmëri e kohës. Pa ato veprime ushtarake sigurisht se nuk do ta kishim një mobilizim të UÇK-së”.

“Njerëzit mund të flasin se çfarë të duan, por unë mendoj se themelimin e UÇK-së edhe arkitektët e saj duhet t’i kërkojmë te UÇK-ja, ti kërkojmë te Adem Jashari dhe t’i kërkojmë te të gjithë familjet që kanë qenë në gjendje të sakrifikojnë për kombin dhe atdheun. Pa ato sakrifica, jam i bindur se nuk do ta kishim një mobilizim të shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Më 22 janar të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt kullës së Jasharëve, për ta sulmuar.

Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipër e mbesa, ku kishin marrë plagë disa anëtarë të familjes Jashari, ndërsa forcat serbe ishin detyruar të tërhiqeshin.

Lexo më shumë:

Të ngjashme