Matoshi kërkon mobilizimin e Obliqit për ruajtje të ambientit

Prishtinë | 18 Tet 2018 | 12:47 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Let’s Do It Kosova” ka organizuar aksionin e radhës të pastrimit në komunën e Obiliqit, në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se Obiliqi është një nga komunat më me prioritet për mbrojtje të mjedisit për shkak të ndotjes së ajrit që i shkaktohet nga termocentralet, ndërsa ka përmendur edhe udhëzimin administrativ të nënshkruar dje për gjoba për hedhësit e mbeturinave në vende që nuk janë të lejuara, për të cilin ka thënë se deri javën tjetër do të vazhdojnë të informojnë qytetarët për përmbajtjen e këtij udhëzimi, raporton EkonomiaOnline.

“Sot jemi në Obiliq sepse është një nga prioritetet e Ministrisë. Është një nga komunat që do të kemi vëmendje të theksuar në fushën e ambientit për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktohet nga termocentralet, por gjithsesi edhe për shkak të përkushtimit tonë që të jetojmë në një ambient të pastër”.

“Jemi sot këtu për t’i dhënë mbështetje vullnetarizmit të të rinjve dhe të kërkojmë më shumë përfshirje të të rinjve të djemve e vajzave që të jenë në krah me ne, në krah me task forcën, me MMPH, me komunat në mënyrë që të ndahemi një herë e mirë nga mbeturinat”.

“Sot jemi këtu për të dhënë edhe një herë mesazhin tonë, që ndotësit në të ardhmen do të gjobiten. Dje kemi nënshkruar udhëzimin administrativ për gjobar për hedhje të mbeturinave. Vendimi bëhet i plotfuqishëm javën që vjen,shtatë ditë pas nënshkrimit dhe nga java që vjen ata që hedhin mbeturina në vendet e palejuara, do të ndëshkohen, kështu që do ta shfrytëzojmë këtë javë që të jemi në aktivitete gjithandej nëpër Kosovë, që të japim sa më shumë informacione rreth udhëzimit administrativ dhe që të kërkojmë nga qytetarët për ambientin dhe mjedisin ku ata jetojnë”.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se në aksionet e pastrimeve kanë marrë pjesë jo vetëm këtë herë, por edhe gjatë këtij viti, dy herë, Policia e Kosovës, OJQ-të, qytetarët, KEK-u, shkollat, që të eliminojnë deponitë ilegale.

Ai ka njoftuar se janë njoftuar edhe xhamitë në këtë komunë që të fillojnë të informojnë besimtarët myslimanë për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, po ashtu edhe shkollat, raporton EO.

“Duke u bazu që ndotësit më të mëdhenj janë në komunën tonë, po mundohemi që të paktën deponitë ilegale t’i eliminojmë me qëllim që të qëndrojmë në pjesë të gjelbëruara, të pyllëzuara”.

“Deri më tani janë eliminu 19 deponi ilegale, inerte dhe në total mbeturina janë bartë rreth 3430 metër kub. Do të vazhdojmë edhe më tutje. Do të vazhdojmë për krijim të hapësirave të gjelbra”.

“Një mesazh për qytetarët e Obiliqit,që të jenë kujdes ta ruajnë ambientin sepse është shumë i domosdoshëm një dru, një hapësirë e gjelbër për qytetarët e Obiliqit, duke llogaritë ndotësit përreth që i kemi”.

“Sot kemi pasë një rast edhe me bashkësinë islame, kemi bërë një apel që nëpër xhamia të kërkohet nga qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj ambientit, nesër do të jetë gjithashtu ora e parë në të gjitha shkollat, kërkohet nga drejtoria e arsimit që të jetë temë fokusi ambienti që bashkërisht të bëhemi të kujdesshëm për një ambient të pastër”.

Besnik Shabiu nga “Let’s Do It Kosova”, ka thënë se deri më tash janë larguar 200 deponi ilegale të mbeturinave, ndërsa ka thënë se e mira e gjithë kësaj është që janë përfshirë të rinjtë.

“Jemi këtu për të dhënë një mesazh të qartë, se jemi bashkë dhe jemi gati që Kosovën ta dërgojmë drejt proceseve të reja, për një Kosovë pa mbeturina”.

“Prej momentit që po flasim, prej 15 shtatorit, janë 200 deponi ilegale të cilat janë eliminu në të gjithë territorin e Kosovës”.

“E mira është që po bashkohen edhe të rinjtë. Ky është mesazhi më i qartë se edukimi duhet të fillojë pa dyshim nga rinia”.

Ai ka thënë se aksioni i pastrimit sot po vazhdon edhe në katër komuna.

“Përgjegjësia institucionale, qytetare është që pas 15 dhjetorit t’i mbajmë këto hapësira të pastra”.

Edmond Nulleshi nga KEK-u, ka thënë se kompania është duke ndihmuar jo vetëm gjatë këtij aksioni por edhe gjatë vitit.

“Brenda mundësive që kemi, jemi duke investuar në hapësira publike, si në fusha sporti, parqe”.

“Deri më tani janë pastru me pajisje të KEK-ut diku rreth 7000 metra kub. Do të vazhdojmë gjithsesi si gjithmonë kur është nevoja”.

Drejtori i gjimnazit “Ismajl Dumoshi”, Sahit Zeqiri, ka thënë se aksionet e pastrimit nuk duhet të përfundojnë këtu në komunën e Obiliqit, pasi sipas tij kjo komunë ka nevojë më së shumti.

Ai ka thënë se nxënësit e kësaj komune janë të informuar për ruajtjen e ambientit, ndërsa ka thënë se çdo qytetar duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë, përndryshe aksionet e pastrimit janë të kota.

“Unë mendoj që ky aktivitet duhet të vazhdojë në vazhdimësi, sidomos në komunën e Obiliqit, për shkaqe që e dini se si qëndrojmë ne, me ambientin shumë të ndotur në komunën tonë. Mirëpo mendoj që edhe Qeveria dhe të gjitha organet shtetërore të Republikës së Kosovës, duhet të jenë pak më këmbëngulëse dhe të mendojnë pak më tepër për këtë komunë sepse me të vërtetë e kemi një ambient tepër të ndotur”.

“Çdo qytetar duhet të jetë i përgjegjshëm, sepse nëse nuk jemi të përgjegjshëm se si duhet mbajtur ambienti, kjo punë është e kotë, nuk është e përhershme, është e përkohshme”.

Po ashtu, aksione pastrimi për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave nesër do të ketë edhe në Gjakovë, Istog dhe Malishevë.

Të ngjashme