Mbahet Akademia Përkujtimore për 20-vjetorin e rënies së Hyzri Tallës, Afrim Maliqit dhe Ilir Durmishit

Prishtinë | 03 Dhj 2018 | 12:46 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur Akademia Përkujtimore në 20 vjetorin e rënies së heroit Hyzri Talla dhe bashkëluftëtarëve të tij, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi.

Thaçi ka thënë se para 20 vjetësh, Kosova humbi dy veprimtarë të shquar dhe një intelektual në moshën më të mirë krijuese.

“Kosova humbi pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hyzri Tallën, Ilir Durmishin dhe gazetarin Afrim Maliqi”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se në dekadën e fundit të shekullit njëzet, Kosova hyri në një fazë intensive të dhunës sistematike, ndjekjes, burgosjes dhe vrasjeve të shqiptarëve, të ushtruar nga regjimi okupues i Beogradit.

Për t’iu kundërvënë këtyre masave represive, ai theksoi se shqiptarët e Kosovës përdorën të gjitha mjetet e rezistencës politike dhe qytetare.

“Rezistenca civile, artikulimin më të mirë e arriti përmes organizatës politike dhe ushtarake të dalë nga populli, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja në radhët e saj bashkoi njerëzit më të përkushtuar dhe më të gatshëm për të luftuar kundër aparatit policor, ushtarak dhe administrativ të Serbisë. Në vitin 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte forcuar dhe zgjeruar në gjithë Kosovën. Në ofensivat e verës dhe vjeshtës 1998, UÇK-ja u dëshmua një guerile moderne, e pathyeshme dhe e vendosur në qëllimin madhor, çlirimin e Kosovës. Luftëtarët e lirisë dhe populli ishin bërë një, pavarësisht çmimit dhe sakrificës”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se një prej luftëtarëve të paepur ishte edhe Hyzri Talla, i cili kishte një përvojë organizimi në organizata patriotike, që nuk e ndalën asnjëherë veprimtarinë kundër okupimit të Kosovës.

“Në kuadër të Zonës Operative të Llapit, Hyzriu kreu me nder dhe përgjegjësi detyra të rëndësishme. Ditën e 2 dhjetor 1998, Hyzri Talla ishte brenda në Prishtinë në krye të misionit të tij si epror i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit. Bashkë me Hyzriun ishte Ilir Durmishi, një veprimtar i përkushtuar për të kontribuar me tërë energjitë e tij. Me ta ishte edhe gazetari i talentuar, Afrim Maliqi, shok i idealit të tyre. Vrasja në pritë e këtyre tre veprimtarëve ishte tregues se çfarë rreziku po paraqiste Ushtria Çlirimtare e Kosovës për segmentet e pushtuesit: në fronte, në istikame, në qendra urbane dhe kudo tjetër në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Pavarësisht goditjeve dhe humbjeve të bashkëluftëtarëve tanë, kreu i shtetit ka thënë se UÇK-ja arriti të bëhet faktori më i rëndësishëm politik dhe ushtarak në vitet 1998 dhe gjysmën e parë të vitit 1999.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se, në ato ditë dhjetori Kosova humbi shumë bashkëluftëtarë të dalluar, humbi Hyzriun, Afrimin dhe Ilirin, një dhimbje e madhe, por edhe vendosmëri për të vazhduar luftën deri në fitoren e plotë mbi pushtuesin.

“Për shkak të vendosmërisë, vizionit, orientimit kah vlerat e demokracisë perëndimore, lufta dhe qëndresa e popullit të Kosovës u kurorëzua me sukses. Kosova u mbështet nga bota demokratike, nga SHBA-ja, nga shtetet e BE-së dhe NATO-ja, duke arritur çlirimin dhe lirinë e ëndërruar nga shumë breza. Sivjet Kosova kremtoi 19 vjetorin e çlirimit dhe 10 vjetorin e pavarësisë. Pas realizimit të dy objektivave të mëdha, çlirimit dhe pavarësisë, Kosova e ka të qartë edhe objektivin e tretë, integrimin në institucionet euroatlantike, në BE, NATO dhe OKB”, ka shtuar ai.

“Rrugëtimi në rrugën e heronjve është me peshë,  nuk është i thjeshtë, është sfidues, por do të angazhohemi që të  ecim rrugës së tyre së bashku. Ndërsa, familjeve dhe të gjithë bashkëluftëtarëve iu themi se po pa këta burra, pa këta dëshmorë, heronj, pa këto flijime, nuk do të ishim këtu, por edhe pa sfidat e së tashmes, nuk mund të ecim në të ardhmen, kështu që të qëndrojmë së bashku, lavdi heronjve”, kështu tha Kryeministri, Ramush Haradinaj.

Në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, familjarëve të heronjve, veteranëve të luftës, bashkëluftëtarëve, e  ish komandantëve,  kryeministri Haradinaj tha senderimi për heronjtë dhe veçanërisht për ata që kanë bërë rrugë të gjatë në përpjekjet për liri, si rasti i Hyzri Tallës, pastaj për bashkëluftëtarët besnikë të Hyzriut, të cilët e kanë ndarë edhe rënien bashkë,  është nder prania e tyre sot.

“Unë sot vërtet ndihem i nderuar të marrë pjesë në akademinë e organizuar nga presidenti i vendit për heronjtë tanë”, tha kryeministri Haradinaj.

EkonomiaOnline

DREJTPËRDREJT: Mbahet akademi përkujtimore në 20-vjetorin e rënies së heroit Hyzri Talla dhe bashkëluftëtarëve të tij Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi. Marrin pjesë presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli e kryeministri Haradinaj.

Gepostet von EkonomiaOnline am Montag, 3. Dezember 2018

Të ngjashme