Mblidhen 316 tonë mbeturina, s’dihet çka do të bëhet me deponitë

Prishtinë | 17 Sht 2018 | 12:19 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Udhëheqësi i Task Forcës për pastrimin e Kosovës, ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me anëtarët tjerë të task forcës ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën kanë bërë të ditur se gjatë aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” janë mbledhur 316 tonë mbeturina.

Matoshi e cilësoi këtë aksion si të jashtëzakonshëm, raporton Ekonomia Online.

“Ishte një aksion i jashtëzakonshëm, i mbështetur dhe i përkrahur në masë jashtëzakonisht të madhe prej qytetarëve të Republikës së Kosovës, i koordinuar nga Ministria e Mjedisit, së bashku me dhjetë ministri të tjera, me organizatat e shoqërisë civile, me bashkësitë fetare, me qytetarët e shumtë, që u bënë pjesë dhe dhanë mesazhin se vendi ynë do ndahet nga mbeturinat”.

Matoshi bëri të ditur se ekziston edhe një numër i mbetjeve inerte. Sipas tij, të shtunën e të dielën janë pastruar 150 tonë mbetje inerte në Mitrovicë, ndërsa në Komunën e Prishtinës 110 kamionë.

“Kemi marrë të dhëna, kanë qenë mbi 100 mijë qytetarë, 316 tonë mbeturina dhe 46 mijë thasë me mbeturina. Ka edhe një numër të mbetjeve inerte, edhe të shtunën e të dielën janë pastru 150 tonë me mbetje inerte vetëm në Mitrovicë, 110 kamionë në komunën e Prishtinës”.

Nënkryetari i  Asociacionit të komunave, Xhafer Gashi, ka thënë se do të mbështesin këtë aksion edhe më tutje, raporton EO.

“Ky aksion do të vazhdojë tutje. Ne si komuna do sigurohemi që ta përcjellim këtë aksion”.

Luan Hasanaj nga organizata “Let’s do it Kosova” tha se aksioni i pastrimit të Kosovës do të vazhdojë edhe në brezin rrugor.

“Nga nesër do vazhdojë aksioni për largimin e deponive më të mëdha, pastaj në deponitë të brezit rrugor. Krahas deponive të mëdha, pra do pastrojmë edhe brezin rrugor”.

Hasanaj tha se aksioni i së shtunës i ka tejkaluar pritshmëritë e organizatorëve.

Rexhep Kadriu, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës, ka shprehur gatishmërinë e kësaj ministrie për heqjen e mbeturinave inerte, raporton EO.

“Ne si Ministri e Infrastrukturës kemi qenë pjesëmarrës e krejt këtij aksioni. Me 300 punëtorë kemi punu në terren gjatë ditës në 20 lokacione. Deri në fund të vitit kemi plan që të mos mbetet asnjë mbetje inerte”.

Kadriu u zotua se deri në fundit të muajit shtator, të gjitha rrugët që menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës do të jenë të pastra.

“Po bëjmë përpjekje të vetëdijësojmë qytetarët dhe të vazhdojmë këtë aksion. Të gjitha rrugët që i menaxhon Ministria e Infrastrukturës, deri në fund të muajit do të jenë të pastra”.

Arbër Geci, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, ka thënë se kjo ministri ka angazhuar edhe mësimdhënësit në pastrim të ambientit.

“Ministria ka marrë vendim që të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit të angazhohen që të pastrojnë ambientet shkollore”.

“Kemi kërku nga mësimdhënësit që të bisedojnë vazhdimisht me nxënësit për ngritjen e vetëdijes dhe të zhvillojnë tema për ambientin”.

Milena Zdravkoviq, zëvendësministre e MMPH-së, ka falënderuar të gjithë për suksesin e treguar në komunat serbe dhe ka shprehur përkrahjen e mëtutjeshme për aksionet e ardhshme.

I pyetur se a ka pasur aksion edhe në komunat veriore, u.d. Matoshi ka thënë se nëse nuk do të ishin të gjitha komunat, aksioni i datës 15 nuk do të bëhej.

Të njëjtën e ka pohuar edhe Zdravkoviq, e cila ka thënë se “Ta pastrojmë Kosovën”, ka qenë i suksesshëm si në veri ashtu edhe në jug, raporton EO.

Kurse, për vendin ku janë grumbulluar qindra tonë të mbeturinave,  Matoshi ka thënë se njëherë për njëherë janë dorëzuar në deponi.

“Janë dorëzu nëpër deponi dhe po i transportojmë në deponi. Duhet një vendimmarrje më e qartë se çka duhet bërë me këto mbeturina. Pra në bashkëpunim edhe me qeverinë duhet të vendoset se çka do të bëhet me ato mbeturina në të ardhmen”, ka thënë ai.

Të ngjashme