Ministria e Drejtësisë mirëpret votimin në parim të Byrosë për konfiskimin e pasurisë

Prishtinë | 14 Kor 2022 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten kanë miratuan në parim Projektligjin për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Miratimin e këtij Projektligji e ka përshëndetur Ministria e Drejtësisë, duke thënë se ky projektligj është në funksion të zhvillimit dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës.

Sipas MD-së, ky projektligj përmban dispozita materiale dhe procedural ku përcaktohet konfiskimi me bazë civile (pa dënim).

“Me këtë Projektligj do të krijohet një mekanizëm shtesë dhe i nevojshëm në luftimin e  Korrupsionit. Ky mekanizëm do të bëjë verifikimin e pasurisë së personave zyrtarë dhe në rastet e mospërputhjes së pasurisë dhe të hyrave, agjencia do i propozojë Gjykatës konfiskimin e asaj pasurie të pajustifikueshme”, thuhet në një komunikatë për media nga MD.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky projektligj ka marrë dritën e gjelbër edhe nga Komisioni I Venecias me disa rekomandime për përmirësimin e tij, ku në mes të dy leximeve secili rekomandim do të trajtohet dhe do të përkthehet në dispozita ligjore.

“Në këtë mënyrë do të kemi një Ligj I cili do të luftojë korrupsionin përmes konfiskimit të pasurisë me bazë civile dhe do të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kushtetuese”, thuhet në reagimin e MD-së.

Tutje thuhet se me miratimin në parim të këtij Projektligji, Qeveria e Kosovës ka përmbushur njërin nga prioritetet kryesore ndaj luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

Të ngjashme