MKRS-ja mbështet 19 qendra dhe organizata rinore në parandalimin e radikalizmit dhe terrorizmit

Prishtinë | 27 Nën 2018 | 11:44 | Nga Medina Mehmeti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka organizuar konferencën me temën “Toleranca & Siguria njerëzore e të rinjve në Kosovë”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi bëri të ditur se ministria që ai drejton gjatë vitit 2018 ka mbështetur 28 organizata rinore në projektet e tyre që kanë të bëjnë me sigurinë.

“MKRS-ja ka qenë e përkushtuar edhe këtë vit dhe kemi mbështetë 28 organizata në fushën e sigurisë. Kemi mbështetur 19 qendra dhe organizata rinore në parandalimin e radikalizmit dhe terrorizmit. Kjo tregon angazhimin tonë për të qenë bashkë në luftimin e kësaj dukurie të shëmtuar e devijante”, tha ministri Gashi, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se si ministri pos mbështetjes financiare që po u bëjnë organizatave rinore e qendrave rinore,ata janë në finalizim të strategjisë së re, e cila do të jetë e përkushtuar në mekanizmat e rinisë.

“Jemi duke investuar në parandalimin e këtyre dukurive dhe në sigurinë njerëzore”. Jam këtu për ta konfirmuar mbështetjen si ministër, si MKRS që asnjë i ri i joni të mos jetë i prekur nga këto tema që do të trajtohen sot”, ka thënë ministri Gashi.

Aibek  Zhumashukurov, nga OSBE-ja, tha se në vazhdimësi do ta mbështesin rininë.

“Sa i përket programit tonë të OSBE-së për të mbështetur rininë duhet t’ju them se kemi dëgjuar perspektivën e rinisë në lidhje me këtë temë. Ju dëshiroj një ditë produktive, ju dëshiroj sukses dhe fat”, tha ajo.

Ganimete Gërboci nga Departamenti i Sigurisë Publike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha se siguria është një ndër shtyllat kryesore që e garantojnë kushtetutshmërinë e shtetit.

“Krahas boshteve tjera kryesore të një shteti, siguria mbetet shtylla kurrizore e ekzistencës fizike dhe garantimit të kushtetutshmërisë. Çelësi i suksesit për të rritur nivelin e sigurisë në vend është komunikimi midis institucioneve në nivel qendror dhe lokal. Bashkëpunimi ndërmjet ministrive është rritur dukshëm. MKRS-ja është ministri që ka pas vetes të gjithë rininë. ne jemi të gatshëm të ndihmojmë çdo ministri sepse qëllimet tona janë të njëjta”, ka thënë Gërboci.

Lulzim Fushtica, Koordinator Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Kabinetin e Kryeministrit, tha se një nga prioritetet e qeverisë është parandalimi dhe luftimi i ekstremizmit të dhunshëm që çon në radikalizëm.

“Një prej prioriteteve të qeverisë është parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. MKRS-ja dhe divizioni për siguri është pjesë integrale e angazhimeve tona në implementimin e planit të veprimit. Është inkurajuese që MKRS ka ndarë fonde për 19 qendra rinore që kane qëllim parandalimin e ekstremizmit që shpie ne radikalizëm. Siguria njerëzore është koncept i ri edhe te ne. Ne duhet që detyrën tonë ta kryejmë me seriozitet në luftimin e këtyre dukurive”, tha Fushtica.

E, Arianit Jashari, përfaqësues i rinisë nga Kosova në “RYCO Tirana”, ka treguar për rëndësinë e kësaj konference.

“Kjo konferencë konsideroj se është e rëndësishme për dy arsye: objektivat e qarta të MKRS-së janë në rrugën e duhur dhe konsideroj se me ndërtimin e këtyre objektivave rol të rëndësishëm kanë përfaqësuesit e organizatave rinore. Siguria, toleranca,  bashkëpunimi nuk i përket vetëm institucioneve. Na përket të gjithë neve si individ. Nëse ne si individ nuk jemi të gatshëm të punojmë në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme atëherë ku është roli i secilit si individ”, tha Jashari.

Sipas tij,  mbështetja e institucioneve për organizata rinore është e patjetërsueshme në krijimin e një sigurie dhe tolerance të mirëfilltë jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Xhevat Bajrami, drejtor i Departamentit të Rinisë në MKRS, tha se këtë vit kanë mbështetur disa OJQ,për të pasur qasje në ruajtjen e ambientit.

“Këtë vit kemi mbështetur disa OJQ, për të pasur qasje në ruajtjen e ambientit ku jetojmë. Përshëndes donatorët që kanë kontribuar në ruajtjen e sigurisë”, tha ai.

Të ngjashme