Në hapjen e Panairit të Sportit, Gashi fton të rinjtë të merren me aktivitete sportive

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 12:28 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në hapjen e Panairit të Sportit, në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, theksoi se është e rëndësishme ngritja e numrit të qytetarëve pjesëmarrës në ngjarje sportive.

Sipas Gashit, numri i ulët i të rinjve që marrin pjesë në sport ka bërë që MKRS-ja, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe federatat e sporteve të ndryshme ta rritin bashkëpunimin e tyre me qëllim të ngritjes së pjesëmarrjes së të rinjve në aktivitete sportive, raporton Ekonomia Online.

“Është shumë me rëndësi ta theksoj faktin që organizimi i Javës Evropiane të Sportit, bashkëpunimi i ministrisë me Komitetin Olimpik të Kosovës, me federatat e sporteve të ndryshme, në të njëjtën kohë edhe me klube të ndryshme, ka bërë dhe është dëshmia më e mirë se një bashkëpunim i mirë e masivizon dukshëm sportin në Kosovë, edhe për faktin që nga statistikat, një numër shumë i ulët i të rinjve tanë marrin pjesë në sport. Kjo na bën të gjithëve të bashkohemi e të koordinohemi që dokumentet tona strategjike të kenë ndryshime dhe objektivë të qartë ta kenë ngritjen e pjesëmarrjes në aktivitete sportive”.

Gashi ka thënë se gjatë vitit 2019, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, federatat dhe komitetet sportive do të jenë të angazhuar që qytetarët t’i bëjnë pjesë të aktiviteteve sportive, raporton EO.

“Edhe unë si ministër, edhe federata dhe komitetet, do të jemi fuqishëm të angazhuar që gjatë vitit 2019 të punojmë që qytetarët të jenë pjese ë aktiviteteve sportive, që ta ngritim përqindjen e pjesëmarrjes në aktivitete sportive”.

Kurse, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka vënë në theks rëndësinë e pjesëmarrjes në sport, sidomos për fëmijët.

“Secili klub sot do të mundohet që të jetë sa më atraktiv, por ju keni të drejtën e përzgjedhjes së sportit. Me rëndësi është të zgjedhni një sport, apo mundeni në këtë fillim, dy, tre sporte të zgjedhni, e më vonë të përcaktoheni për cilin sport do të keni më shumë suksese. Me rëndësi është të merreni me sport”.

“Është e konstatuar se fëmijët që merren me sport, mësojnë më tepër”, ka thënë ai.

Të ngjashme