Problemi me qentë endacakë – AUV-i ka ndarë 700 mijë €, projekti vazhdon deri në maj

Prishtinë | 23 Shk 2021 | 11:09 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sulmet nga qentë endacakë janë bërë problem serioz, por komunat nuk janë duke e trajtuar këtë çështje si duhet. Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Zëdhënësi Thaçi tregon se në vitin 2018 kanë marrë buxhet nga Qeveria e Kosovës për trajtim emergjent të 14 mijë qenve endacakë. Në vazhdim, edhe në vitin 2020 ka vazhduar trajtimi i 5 mijë qenve endacakë.

Thaçi shtoi se AUV-i ka ndarë 700 mijë euro për projektin sa i përket trajtimit të qenve endacakë, projekt që vazhdon deri në muajin maj.

“Ne si agjenci në vitin 2018 kemi marrë buxhet nga Qeveria e Kosovës për trajtim emergjent të qenve endacak dhe në këtë vit janë trajtuar 14 mijë qen. Duke parë që komunat nuk kishin krijuar fonde të buxhetit për trajtim nga ana e tyre, ne kemi qenë të detyruar që me të hyrat tona të agjencisë të bëjmë ndarje nga projektet tjera. Edhe në vitin 2020 janë trajtuar rreth 5 mijë qen endacakë dhe ky projekt do të vazhdojë deri në muajin maj të këtij viti”.

“Ne shpresojmë që shumë shpejt komunat ta marrin punën për të kryer sepse është mandat i tyre bazuar në Ligjin për Veterinarisë. Burim i problematikës së qenve endacakë është mostrajtimi i duhur nga ana e nivelit lokal”.

“Komunat kanë trajtuar këtë problematikë dhe duke parë që nuk kanë dhënë efektin e duhur në terren, atëherë kemi qenë të detyruar nga ana e Qeverisë që ne si autoritet qendror të merremi me këtë problematikë karshi edhe shumë punëve të tjera të cilat i kemi dhe kemi marrë si detyrë. Dhe në vitin 2020 ne si Agjenci i kemi ndarë 700 mijë euro buxhet nga projektet tjera vetëm e vetëm që projekti të vazhdojë sepse është problematikë që kërkon trajtim për një periudhë afatgjate që ajo të japë efektin e duhur. Nëse ka ndërprerje atëherë prapë do fillojë shtimi i qenve endacakë sepse qëllim bazë i projektit është pengimi i shtimit të qenve endacakë”.

Mes tjerash, ai tha se kanë bërë apel te komunat që të merren më seriozisht me këtë çështje, megjithatë sipas tij, duket se mungon vullneti i tyre, duke shtuar se qytetarët po rrezikohen çdo ditë nga qentë endacak.

“Ne në vazhdimësi gjithmonë iu kemi dërguar letër nga drejtori ekzekutiv i autoriteti dhe i kemi bërë apel komunave që do të bëjmë ndarjen buxhetore dhe të merren seriozisht me trajtimin e qenve endacakë, duke ditur që është mandat i tyre dhe ne ende nuk e kemi gjetur këtë vullnet te të gjitha komunat dhe jemi të detyruar të bëjmë ndarjet tona buxhetore që të merren me këtë problematikë e cila është emergjente”.

“Ne si autoritet nuk kemi mundësi ndikimi mbi komunat. Ne marrim detyra vetëm nga Qeveria e Kosovës dhe jemi të detyruar që t’i zbatojmë ato detyra që na jepen si mandat. Përndryshe presim që komuna ta marrin më seriozisht këtë çështje dhe të bëjnë një trajtim të duhur të kësaj problematike duke ditur që po kemi njerëz të atakuar dhe nuk është një gjë e mirë për vendin tonë sepse po rrezikohen qytetarët”.

Në Kosovë ka pasur shumë raste të sulmeve nga qentë endacakë. Së fundit, një vajzë 8-vjeçare në lagjen “Veternik” në Prishtinë u sulmua nga një qen, pranë shtëpisë së saj.

Rreziku nga numri i madh i qenve nëpër rrugë përmendet edhe në një kabllogram të Ambasadës së Amerikës në Kosovë, publikuara nga mediet. Aty theksohet se stafi i tyre është i rrezikuar nga sulmet e qenve endacakë, kur ata janë të uritur.

Të ngjashme