Prokurori Special për krimet e UÇK viziton Kosovën dhe Serbinë

Prishtinë | 07 Nën 2016 | 14:09 | Nga

David Schwendiman, Prokuror Special për krimet e UÇK-së në Kosovë (1998 – 1999) do të vizitojë këtë javë Kosovën dhe Serbinë. Gjatë qëndrimit në Prishtinë dhe Beograd më 7 dhe 11 nëntor priten takime interesante.Zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë nuk ka bërë të ditur ndonjë hollësi lidhur me hetimet e deritanishme. Por thekson, se prokurori Schwendimann konfirmon në këtë mënyrë vendosmërinë për realizimin e mandatit. “Ai nuk do të hyjë në hollësi rreth përmbajtjes së hetimeve”, thuhet në kumtesë.

Kryeprokurori special Schwendiman do të takohet në Prishtinë me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, me Prokurorin e Përgjithshëm si dhe me përfaqësuesit e EULEX-it dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Edhe në Beograd ai do të takohet me përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë, të Prokurorisë për krimet e lufte si dhe përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare atje.

Schwendiman do të prezantohet zyrtarisht si kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, e cila është formuar së fundi. Prokuroria Speciale bën të ditur, se kryeprokurori do të konfirmojë vendosmërinë dhe përkushtimin për zbatimin e këtij procesi.
Në njoftimet zyrtare nuk thuhet nëse së shpejti do të ketë ngritje të ndonjë aktakuze për krime në vitet 1998-1999, por në mediat e Kosovës dhe Serbisë janë lakuar shumë emra, ndaj të cilëve mendohet se mund të ngrihen akuza. Ndër ta janë edhe shumë drejtues në institucione dhe persona me funksione të larta politike në partitë në pushtet dhe në opozitë.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme