PSD shpërndan “pesëqindshe” te KEDS-i – Molliqaj: Kurti po bën krim me pagesën e rrymës në veri

Prishtinë | 22 Dhj 2021 | 14:23 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD) kanë shpërndarë kartëmonedha false në vlerë 500 euro te objekti i KEDS-it në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Përveç thasëve të mbushur me kartëmonedha false ata kanë vendosur edhe një “çek” në vlerë prej 20 milionë euro.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) është duke ndodhur krim. Sipas tij, krimi i parë në KEK është bërë kur është shitur rrejti i distribucionit.

Kurse sipas tij, Qeveria Kurti ka bërë një krim edhe më të madh se sa ai i mëhershëm duke vazhduar pagesën për rrymën në veri.

Ai pohon se vendimi për të ndarë 20 milionë euro KEK-ut për të blerë rrymë nuk është i duhur.

“Siç e dini të gjithë jeni dëshmitarë të një krimi që ka ndodhur vite më herët. Ai krim po përsëritet me një krim të radhës tani. Krimi i parë ka qenë shitja e rrjetit dhe distribucionit të Kosovës me një çmim prej 26.3 milionë euro,. Kjo shitje është proklamuar si shitje që do t’u sigurojë qytetarëve të Kosovës investime në rrjet, çmime më të mira dhe të përballueshme dhe  furnizim të plotë ose 24 orë në ditë me rrymë elektrike”.

“Kjo Qeveri ka bërë tash një krim të radhës shumë më të fuqishëm, madje nga përmasat ndoshta edhe më të mëdha se ai i mëparshmi, për shkak  se ka bërë dy veprime. Së pari e ka legjitimuar krimin e parë duke e financuar dhe së dyti i ka detyruar qytetarët e Kosovës dy herë për energjinë e njëjtë. Qeveria e Kosovës ka nxjerr një vendim që do t’i ndajë 20 milionë euro KEK-ut që do të blejë rrymë, e do t’ia shesë KESCO-s, e KESCO do t’ia shes KEDS-it”.

Molliqaj deklaroi se qytetarët janë ata që kanë humbur nga këto vendime, raporton EO.

“Qytetarët do ta paguajnë dy herë këtë energji elektrike. Njëherë përmes taksave që i paguajnë përmes qeverisë dhe e dyta herë përmes faturave që do të vijnë”.

Të ngjashme