Reagon QKMF-ja në Ferizaj pasi u publikuan fotografi ku shiheshin të grumbulluar qytetarët për t’u vaksinuar

Prishtinë | 15 Maj 2021 | 10:48 | Nga Ekonomia Online

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj përmes një njoftimi ka bërë të ditur se procesi i vaksinimit atje është duke u bërë sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit.

Nga kjo Qendër po ashtu kanë thënë se janë duke u respektuar masat antiCOVID.

“Procesi i vaksinimit kundër COVID-19 në QKMF po vazhdon edhe sot, sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit dhe duke i respektuar masat anti-covid”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, vetëm sot nga ora 08:00 deri në ora 11:30 janë vaksinuar 297 persona, ndërsa dje gjatë tërë ditës dhe sot janë vaksinuar gjithsejtë 800 persona.

“Në mesin e të vaksinuarve gjatë këtyre dy ditëve janë edhe 100 punëtorë shëndetësorë. Numri i përgjithshëm i vaksinave me të cilat është furnizuar QKMF në Ferizaj nga data 12 maj është gjithsejtë 1030. Aktualisht janë duke u vaksinuar qytetarët e grup-moshave mbi 65 vjeç”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, më herët anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-në, Bajram Gecaj ka publikuar një fotografi nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj ku shihet numër i madh i të moshuarve duke pritur për tu vaksinuar.

Pamjet e publikuara nga QKMF-ja, duket se kjo tollovi është menaxhuar.

Të ngjashme